Fermerët grekë bllokojnë kufirin me Bullgarinë, protestë ndaj vonesave me subvencionet e BE-së

Fermerët grekë bllokuan të premten me traktorë rrugën që të çon në pikën e kalimit kufitar Promahonas me Bullgarinë, duke bllokuar qarkullimin dhe përshkallëzuar protestat mbarëkombëtare kundër vonesave në lëvrimin e pagesave të subvencioneve që jepen nga Bashkimi Europian. Nga bllokada nuk u lejuan të lëviznin kamionët, ndërsa autobusët dhe automjetet private arritën të kalonin kufirin mes dy vendeve.
Por kufiri me Bullgarinë nuk ishte i vetmi që është bllokuar nga protesta e fermerëve, pasi bllokada të ngjashme përgjatë ditëve të fundit pati edhe në kufirin me Maqedoninë e Veriut si dhe me Turqinë. Prej disa javësh, fermerët grekë po protestojnë për shkak se nuk kanë marrë pagesat e subvencioneve europiane për bujqësinë, që janë vonuar për shkak të një hetimi që po vijon në lidhje me shpërndarjen e tyre.
Dhjetëra persona janë vënë në pranga gjatë javëve të fundit pasi dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të padrejtë subvencione europiane, duke bërë aplikime të rreme. Zyra e Prokurorit Publik Europian po zhvillon një hetim që ka lidhje me një skemë masive të mashtrimit me subvencionet e BE‑së si dhe aktivitete të pastrimit të parave, çka ka çuar në shtimin e kontrolleve dhe vonesat në lëvrimin e fondeve të BE‑së nga qeveria.
/rtsh.al/