E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët në Korçë sigurojnë bazën ushqimore për blegtorinë, vijon puna për përgatitjen e silazhit

TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Sigurimi i bazës ushqimore për blegtorinë mbetet një nga proceset e rëndësishme të këtij sezoni bujqësor, ndërsa fermerët në zonat prodhuese të Korçës vijojnë punën në ara për grumbullimin dhe ruajtjen e ushqimit që do të përdoret gjatë muajve të dimrit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna e fermerëve në Korçë, ku po vijon përgatitja e silazhit, një proces që shërben për ruajtjen e foragjereve dhe sigurimin e një pjese të rëndësishme të ushqimit për gjënë e gjallë.

“Fermerët po vijojnë punën në ara me përgatitjen e silazhit, për sigurimin e ushqimit të blegtorisë gjatë muajve në vijim”, u shpreh Salla.

Përgatitja e silazhit është veçanërisht e rëndësishme për fermat blegtorale, pasi mundëson ruajtjen e prodhimit bimor dhe përdorimin e tij si ushqim gjatë periudhave kur kullotat dhe prodhimi i freskët foragjer nuk janë të disponueshme.

Prodhimi vendas i foragjereve, drithërave dhe kulturave të tjera të përdorura për ushqimin e kafshëve është një hallkë e rëndësishme e zinxhirit bujqësi–blegtori. Të dhënat e INSTAT i klasifikojnë bimët foragjere ndër grupet kryesore të prodhimeve bimore të Shqipërisë.

Kjo e bën rritjen e prodhimit vendas të foragjereve dhe përmirësimin e mënyrës së korrjes, magazinimit dhe përpunimit një element me rëndësi edhe për uljen e kostove të fermave dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit blegtoral.

Për këtë arsye, mekanizimi i fermave dhe përdorimi i teknologjive moderne në korrje, selektim dhe përgatitjen e silazhit po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në sektorin bujqësor.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë ka rritur mbështetjen financiare për blegtorinë përmes Skemës Kombëtare 2026. Sigurimi i bazës ushqimore në fermë, krahas mbështetjes financiare dhe investimeve në mekanizim, synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e blegtorisë dhe rritjen e prodhimit vendas të produkteve blegtorale.

/e.xh/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›