E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët paralizojnë Brukselin – Protesta kundër marrëveshjes tregtare BE-Mercosur

Brukseli u paralizua këtë të enjte nga mijëra fermerë evropianë, të cilët bllokuan rrugët me mjetet e tyre bujqësore dhe u përleshën me policinë jashtë Parlamentit Europian në shenjë proteste ndaj marrëveshjes tregtare mes BE-së dhe pesë vende të Amerikës së Jugut të të ashtuquajturit bllok tregtar Mercosur. Ata shqetësohen se marrëveshja e Mercosur se do t’i dëmtojë për shkak të hyrjes së një fluksi mallrash më të lira nga gjigandi bujqësor Brazili dhe fqinjët e tij, Argjentina, Uruguai, Paraguai dhe Bolivia.

Marrëveshja BE- Mercosur do të krijonte zonën më të madhe të tregtisë së lirë në botë dhe do ta ndihmonte BE-në të eksportonte më shumë automjete, makineri, verëra dhe pije alkoolike në Amerikën Latine. Por Parisi dhe Roma thonë se nuk duhen sakrifikuar fermerët për marrëveshje, ndaj kanë bërë thirrje për klauzola mbrojtëse më të forta, kontrolle më të rrepta të importit dhe standarde më të rrepta për prodhuesit e bllokut Mercosur. Kundër  marrëveshjes janë edhe Hungaria me Poloninë.

Kritikët e paktit do të kishin ndikim të mjaftueshëm brenda Këshillit Evropian për ta rrëzuar atë, nëse marrëveshja do të hidhej në votim. Nga ana tjetër Gjermania, Spanja dhe vendet nordike, të etura për të rritur eksportet, e mbështesin fuqimisht. Më herët, presidenti i Brazilit Lula da Silva tha se koha për nënshkrimin e marrëveshjes ishte tani ose kurrë.

Fermerët evropianë janë gjithashtu të shqetësuar për planet e paraqitura nga Komisioni Evropian për të rishikuar subvencionet bujqësore të bllokut prej 27 vendesh, pasi druhen se do të lëvrohen më pak fonde për ta.  Sakaq Presidentja Von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa u takuan me përfaqësues të sindikatave bujqësore në lidhje me marrëveshjen Mercosur.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›