E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerja nga Korça përfiton mjete bujqësore, mbështetje nga AZHBR për zgjerimin e aktivitetit

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Tradita familjare dhe përkushtimi ndaj bujqësisë e kanë rikthyer Rolanda Shukullin nga Dvorani i Korçës tek puna në pemëtore.

Pas një periudhe emigracioni në Greqi, Rolanda është angazhuar në vijimësinë e aktivitetit bujqësor të familjes, duke investuar punën dhe përkushtimin e saj në pemëtore.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale historinë e Shukullit, e cila falë mbështetjes së AZHBR-së ka përfituar traktor dhe mjete bujqësore, të cilat e ndihmojnë në mirëmbajtjen dhe zgjerimin e aktivitetit të saj.

“Rolanda kujdeset çdo ditë me shumë përkushtim për pemëtoret e saj me mollë, qershi e kumbulla .Falë mbështetjes së AZHBR-së, ajo ka përfituar makineri bujqësore që ia lehtësojnë punën dhe e ndihmojnë të zhvillojë më tej fermën e saj”, shkruan Rama.

Shukulli përveç mirëmbajtjes dhe shtimit të pemëve frutore merret edhe me kultivimin e bimëve të tjera bujqësore që janë pjesë e jetës së përditshme.

Për Rolandën, kjo veprimtari është e lidhur ngushtë me traditën familjare, të trashëguar nga i ati, të cilën sot synon ta ruajë dhe ta zhvillojë më tej.

Sipas saj, një ndihmë e rëndësishme në këtë drejtim ka qenë mbështetja nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

“Gjithë kjo rritje është falë punës sonë, por nuk duhet të harrojmë as mbështetjen e AZHBR-së, për të cilën aplikova dhe përfitova mjetet bujqësore. Mora traktor dhe mjete të tjera, të cilat janë një ndihmë vërtet e madhe për ne. Na lehtësojnë punët në fermë, nga frezimi dhe spërkatja deri te procese të tjera të domosdoshme”, shprehet Shukulli.

Historia e Rolanda Shukullit në Dvoran të Korçës dëshmon për vazhdimësinë e traditës bujqësore ndër breza dhe për rëndësinë e mbështetjes me mekanikë bujqësore në lehtësimin e punës dhe zhvillimin e fermave familjare.

Përmes skemave të mbështetjes, AZHBR vijon të mbështesë fermerët shqiptarë me investime në mekanizimin dhe modernizimin e bujqësisë, duke lehtësuar punën në ferma dhe krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e prodhimit bujqësor në vend.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›