Ferri alkoolik i Dritëro Agollit
Piktura është hedhur në telajo gjatë vitit 2005 dhe i është dërguar poetit për ditëlindje. Autori është piktori Fatos Mati. Ai e përfundoi veprën sipas idesë së poetit nga Gora me banim në Durrës Ymer Nurka duke kryqëzuar elemente të një poezie të Ymerit me ato të një përshtatje të vetë Dritëroit (Rrush Rrushiti, baladë e përshtatur sipas Xhoni kokërr Elbi të Robert Bërns).
Në grupin që do ta uronin poetin për ditëlindje dhe do t’i shpinin “ dhuratën” surprizë të piktorit Fatos Mati bënin pjesë poeti Ymer Nurka që e ideoi veprën si dhe shkrimtari Shpendi Topollai me fotoreporterin Luan Jaupi. Një udhëtim i bërë me ankthin e mënyrës se si do të priteshin nga Dritëroi pasi t’i dhuronin tablonë...
Fatos Mati kujton:
Fatosin e gjejmë në studio teksa hedh penelat e fundit mbi një peizazh. Kur e pyesim mbi pikturën e tij që ndodhet tani në Tiranë në mjediset e librarisë ai thotë se kjo mënyrë konceptimi realisht ishte e poetit e fabulistit Ymer Nurka që ka miqësi të vjetër me Dritëronë. Fatosi thotë se Ymeri e kishte kërkuar dhe kishin biseduar plan-idenë e kompozimit disa ditë me radhë.
I kishte thënë se do t’ia bënte dhuratë për ditëlindje prandaj kërkonte prej tij si mik që ta shkrinte fare talentin. Ai kërkonte që ideja të ruhej e fshehtë pasi piktura do t’i jepej poetit dhuratë në formën e një surprize. Kemi punuar mbi një muaj e gjysmë, - thotë Fatosi. Ideja e kazanit të rakisë qe njëra prej zgjidhjeve pasi realisht patëm një pafundësi idesh, por duke u nisur edhe nga fakti që poeti e kishte të dashur alkoolin dhe shumë poezi i “ ka qarë”, me vreshtat qëndruam tek varianti përfundimtar që ia dërguam në shtëpi. Ymeri gjatë gjithë kohës më ndoqi në studio. Në fillim mu bë i bezdisshëm, por kur çdo detaj artistik i pikturës u qartësua, ai seancë pas seance po bëhej më entuziast. E rifilluam disa herë nga e para... Në pikturë poeti është “dënuar për krimet e tij ndaj produkteve të vreshtarisë me verdiktin e Rrush Rrushitit që të dergjet në ferr. Një “ferr alkoolik”.
“Pretenca” e dënimit, falë bashkëpunimit poet -piktor doli mjaft e zgjidhur artistikisht: Poeti digjej në një kazan duke distiluar alkool dhe drejt tij zgjateshin duart e shumë poetëve të tjerë të etur për alkoolin poetik po edhe për lavdinë e tij të vështirë për t’u arritur nga poetët e sotëm.
Këtëkishte si objekt tabloja që bëmë - thotë piktori Mati - ishte njëkohësisht edhe dhurata për ditëlindje që poeti Ymer Nurka kishte blatuar për ditëlindjen e poetit Dritëro Agolli!
Frika e piktoritMund të quhet idekrisje konceptimi i një pikture në këtë mënyrë, po dhe vetë Dritëro Agolli a s’është shume ide-krisur në veprat e veta? Që t’i dërgosh dikujt për ditëlindje portretin e vet në ferrin e botës së përtejme, aq më shume një të moshuari, frika e keqkuptimit është e madhe.
Po asgjë e tillë s’mund të ndodhte me një poet gjithnjë të ri si Dritëroi ynë. Ymer Nurka thotë se e dinte që Agolli s’do çante kokë nga kjo, “pasi që fëmijë ka dalë partizan dhe është i mësuar me idenë e vdekjes në çdo çast. Madje dhe me idenë e sfidës së përditshme ndaj saj duke e tallur në kushedi se sa poezi, madje në një poezi ai shprehet se vdekjes do t’i varte një zile si dacit që ta dëgjonte kur t’i vinte...”
Me sa duket ketë psikologjie kanë patur parasyshë artistet durrsakë që “i bënë gjyqin” dhe i dërguan për ditëlindje verdiktin poetik durrsak. Kjo fantazi dhe ky materializim i saj plot shije në telajo jo vetëm që se trembën, por kur ia dhanë e bën të qeshë me gjithë shpirt sfidantin e madh.
Ymer Nurka është një nder poetët që e adhuron poetin Agolli. Ai thotë se ne si brez poetësh të mëvonshëm jemi shume debitorë kundrejt figurës së tij dhe kur ne arrijmë të bëjmë diçka për këtë figurë, nuk i bëjmë nder Dritëroit, por vetes sonë, kulturës sonë kombëtare.
Dritëro Agolli u gëzua pa masë për dhuratën e veçantë dhe i falënderoi miqtë ideues. Më pas... E festuan me raki!
Poezia
Në anë të tablosë ndodhet e shkruar edhe poezia që i kushtohet Agollit.
Në atë gjyq të rrush-rrushitit
Që vreshti te merrte hakun
Ashpër Dritëronë paditi
-Përse i pat pirë gjakun?!-
-Borxh ke lëngun e tim biri
Dhe borxhi duhet larë
Boll e pive si vampiri
Kthema sa me parë!-
Poetit borxhi i ngjan dete
Me mijëra damixhanë
Si trim kazanit i hyri vetë
Në gojë i vuri llullanë.
Digjet brenda si martiri
Avull u bë xhani
Të rrjedhë lëng nga më i miri
Ballë prej kazani
Digjen yjet prej së largu
Mbushet plot filxhani
Me rakinë rrjedh dhe vargu:
O shokë... ma mbani!
Te gojë e tij do mbushni gotën
Të gjithë ju poetë
Dhe pastaj do nëmni botën
Që hiç s’qe e vërtetë!
Kjo është pak a shumëhistoria e dhuratës surprizë që artistët durrsakë i dhuruan poetit të tyre të zemrës. Tabloja me dimensionet 120 me 80 cm ndodhet në librarinë “Agolli”.