E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fest 61, jo vetëm muzikë magjike, por edhe vlerësim për humanistë që sot po kalojnë momente të vështira

Festivali i Këngës në RTSH nuk ndan vetëm tingujt e muzikës, por edhe mirënjohjen dhe dashamirësinë e atyre personave që me punë e tyre shënuan jetën e qindra mijërave të tjerë. Një rast i tillë i përcjellë me dhimbje dhe mirënjohje ishte ai i mjekut reanimator, profesor Ilir Ohrit.

Ilir Ohri i kushtoi mjekësisë dhe pacientëve 40 vite nga jeta e tij, duke u kujdesur për secilin prej tyre, ndërsa sot ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi vuan nga një sëmundje e rëndë.

“Prej 4 dekadash ka shërbyer në QSUT dhe ka shpëtuar me mijëra jetë. Është një nga mjekët më të përkushtuar dhe një bluzave të bardha që ka mbajtur gjithmonë të pastër emrin e tij. Moto e tij ka qenë të shpëtojë të gjithë pacientët. Ai është Ilir Ohri dhe sot që flasim vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe është në gjendje kritike për jetën. Ai mjek meriton sot të kujtohet dhe lartësohet për punën e tij që ka bërë për 40 vite”, tha Arbana Osmani.

Për të lartësuar punën e tij, në skenën e muzikës u ngjitën dy nga miqtë dhe kolegët e tij, Krenar Lila mjek reanimator dhe Arben Baboçi mjek kardiolog.

“Për ne është e vështirë të ndajmë anën emocionale nga profesionale. Si kolegë të kremtonin karrierën brilante prej mjeku dhe profesori të Ilir Ohrit. Ai ndodhet në kushte të vështira dhe ne jemi bashkë si kolegë dhe ish studentë të tij, na mungojnë këshillat e tij. Luftojmë në heshtje dhe me përulësi, ashtu siç ai na mësoi”, tha mjeku Krenar Lila.

“E konsideroj veten fatlum që ndër të tjera e kam pasur Ilir Ohrin pranë si mik të çmuar, si koleg si vëlla. Ilir është një njeri nga i cili mund të mësosh pafund me seriozitetin dhe përkushtimin që e ka karakterizuar. Një njeri i ndershëm, modest dhe një personaliet dhe integritet që e ruajti dhe transmetoi edhe te brezat e rinj. Me mijëra studentë në gjithë këto vite kanë përfituar nga njohuritë e transmetuar me dashuri nga Iliri, por nga ana tjetër e kanë bërë Ilirin krenar me punë e tyre. Qoftë një lehtësim për Ilirin dhe familjen e tij kjo ngrohtësi që ndodh këtu”, tha mjeku Arben Baboçi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›