“Fest 64” – Nisin provat në RTSH, artistët performuan së bashku me bendin dhe orkestrën

Atmosfera në RTSH-së është gjallëruar teksa kanë nisur provat për Fest 64, Festivalin e Këngës që pritet të sjellë zëra të rinj, krijime origjinale dhe energji të reja në skenën shqiptare.
Mbrëmjen e 19 nëntorit kanë performuar artistët e parë, ndërsa të tjerët do t’i bashkohen provave më 20 nëntor në mbrëmje, duke përmbyllur fazën e parë të përgatitjeve muzikore.
Artistët po punojnë në detajet e interpretimit live, ndërsa formacioni muzikor po përshtat çdo këngë sipas konceptit të tyre artistik. Këto ditë janë vendimtare për të harmonizuar çdo element që do të dëgjohet në netët e festivalit.
Gjatë provave, disa prej artistëve zbuluan më shumë rreth krijimeve të tyre. Alis, Erik Lloshi dhe Endri Kaçaci treguan për këngët që sjellin këtë vit, bashkëpunimet dhe pritshmëritë që kanë për skenën e Fest 64. Ata shprehen se presin një festival të fortë, plot risi dhe me këngë që do të mbeten gjatë në mendjen e publikut.
“Kënga është shumë personale, tekstin e ka bërë Disara Gjini, muzikën e shkrova unë dhe orkestrimi është nga Erjet Barbullushi. Kjo është një këngë që më prek sa herë që e dëgjoj, dhe sot ishte prova e parë. Nuk më kishte shkuar mendja që do të prekem sërish kur e dëgjova me orkestër. Ishte një perceptim komplet tjetër,” tha këngëtari Alis.
“Jam i privilegjuar që të vij me një kompozim të maestros Flamur Shehu, me orkestrim të Sokol Marsit dhe një tekst të bërë nga vetë unë. Nuk e besoja që do isha në një treshe të tillë, apo në një dyshë të tillë si maestro Marsi, por ja që jam. Kënga titullohet ‘Dy pika dashurie’. Si çdo konkurrent që futet për të garuar në garë, presim të fitoj çmimin e parë,” tha këngëtari Erik Lloshi.
“Sapo kemi mbaruar provat e para të festivalit. Unë prezantohem me këngën ‘si unë’. Tekstin e kam shkruar unë, kompozimi është i Irkenc Hykës, dhe jam shumë i emocionuar të jem këtë vit pjesë e festivalit,” tha Endri Kaçaci.
Festivali i 64-t i Këngës pritet të rikthehet në skenë me përmasa më të mëdha, ndërsa faza tjetër e provave do të vazhdojë në Pallatin e Kongreseve, ku do të nisë puna për performancat finale.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/