Takim me Flutura Açkën – Autorja: Me shkrimet e mia prek realitetin

Biblioteka Shkencore e Universitetit të Shkodrës mirëpriti shkrimtaren e njohur Flutura Açka, në një takim të organizuar nga klubi studentor. Autorja ndau përvoja nga procesi i shkrimit, sfidat krijuese dhe frymëzimin që qëndron pas veprave të saj.
“Mund ta lexoni edhe si një libër ku përmblidhen kauzat e mia personale, që janë kauza përtej së majtës, përtej së djathtës. Unë kam lënë thjeshtë shenjën time dhe lexojeni si të tillë”, u shpreh Açka.
Ndër veprat më të përmendura ishin romanët “Para se të ikja” dhe “Biri”, libra që kanë prekur publikun me tematikat e forta dhe emocionet e thella që përcjellin.
“Lexuesi është i ndryshëm dhe me librin “Biri” ka pasur një lloj stepje”, tha ajo.
Takimi erdhi si një bisedë e hapur mbi fuqinë e fjalës dhe rolin që ka letërsia në jetën e të rinjve. Për studentët, ishte një mundësi e veçantë për t’u lidhur më afër me botën krijuese të autores dhe për të rizbuluar librin si hapësirë reflektimi, emocioni dhe dialogu.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/