E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Fiter Bajramit

Mijëra besimtarë myslimanë festojnë festën e Fiter Bajramit.

Në orën 6:15 të mëngjesit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte mbushur plot me burra dhe gra myslimane  që sipas traditës fetare kanë falur namazin e Bajramit të Madh.

Dita e Fiter Bajramit festohet pas 30 ditë agjërimi të muajit Ramazan, ku besimtarët myslimanë ushqehen vetëm në vaftet syfyr (në mëngjes) e iftar (në darkë) si një sakrificë për të pastruar shpirtin nga mëkatet e bëra gjatë vitit.

Pas 30 ditë agjërim besimtarët i falen Zotit për më shumë paqe dhe mirësi ndërmjet tyre. Sipas traditës, festa e Fiter Bajramit vijon më pas në shtëpitë e  besimtarëve myslimanë me drekën tradicionale ku ftohen  më të afërmit për ta kaluar bashkarisht dhe të gëzuar këtë ditë të rëndësishme të besimtarëve myslimanë.

Presidenti Nishani uron myslimanët

Me rastin e Fiter Bajramit besimtarët myslimanë kanë marrë një urim edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni. Është kënaqësi dhe nder për mua që urimin e parë si President i Republikës t’ua drejtoj të gjithë besimtarëve myslimanë. Gëzuar festën e Fiter Bajramit!
Bajrami i Madh vjen pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të sakrificës, të paqes dhe dashurisë për njëri-tjetrin. Myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit. Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet.
Të dashur motra e vëllezër myslimanë shqiptarë. Nëpërmjet jush gjej rastin të uroj të gjithë popullin shqiptar që ka shfaqur gjithmonë një nga virtytet e tij më të mëdha: bashkëjetesën fetare. Besimi është një nga cilësitë më të çmuara që ka njeriu dhe që e ka çuar përpara njerëzimin. Le ta ruajmë këtë besim në breza dhe ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin."

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›