Festime e urime për besimtarët në ditën e Krishtlindjes në qytetet e Shqipërisë

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Festa e Krishtlindjeve ka bërë bashkë sot, jo vetëm besimtarët katolikë dhe ortodoksë, por edhe shumë përfaqësues të pushtetit vendor, personalitete dhe zyrtarë që janë bërë bashkë në urimet e tyre, për festa të mbushura me shëndet dhe harmoni.
Edhe kryetarët e bashkive Fier, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Durrës, Kavajë etj., u janë bashkuar urimeve zyrtare për festën e Krishtlindjes.
Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi, i shoqëruar edhe nga drejtuesja politike e këtij qarku, Belinda Balluku dhe disa deputetë të PS-së, u kanë uruar Krishtlindjen të gjithë besimtarëve të krishterë.

“Nga Katedralja Ortodokse “Shën Gjergji” në këtë ditë të shënuar për besimtarët e krishterë. Krishtlindjet janë dita e frymëzimit dhe shpresës së madhe për një të nesërme më të begatë. Me bekimin e Zotit, urimet më të sinqerta për çdo vatër shqiptare”, shkruan Balluku në një postim në Facebook.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako ka uruar gjithashtu festën e Krishtlindjes për të gjithë besimtarët. “Gjatë vizitës në Kishën Ortodokse Apostull Pavli dhe Shën Asti të Durrësit me rastin e Krishtlindjes. Në këtë ditë të veçantë uroj që të ketë sa më shumë dashuri, paqe, harmoni, e çdo gjë të mirë në familjet e qytetarëve të Durrësit dhe të të gjithë shqiptarëve”, thotë ajo.

“Për ditën e Zotit dhe shpresën e paqes për çdo ditë, nga shtëpia e tij, në shtëpinë tuaj, Krishtlindje të Bardhë e të Bekuar”, uron Ermal Dredha, kryetari i bashkisë Vlorë.

Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, i shoqëruar nga drejtuesja politike e këtij qarku, Mirela Kumbaro ishin në një familje në qytetin e gurtë për të uruar Krishtlindjet. “Shumë familje në qarkun e Gjirokastrës u bekuan me një beb gjatë këtij viti dhe ne na bëhet zemra mal. Çdo familjeje i kam uruar me zemër këtë fatmbarësi të brezit të ardhshëm. Me Flamurin i uruam jetë të gjatë Amarisit të bukur si drita dhe lumturi së bashku me mami Rominën dhe babi Ledionin në vatrën e tyre të ngrohtë”, shkruan Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli ka ndarë urimin e tij në rrjetet sociale duke shkruar: “Me shpresën se kjo festë do t’i paraprijë një viti të ri më të bukur, më të sukseshëm, me më shumë harmoni dhe shëndet për çdo familje pogradecare.”

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo ndau foto nga takimi me Mitropolitin e qytetit, për Lindjen e Krishtit. “Në këtë ditë që na bën të gjithëve bashkë dhe na rikujton se çfarë ka vërtet rëndësi. Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë besimtarët kudo që janë”.

Kryetari i bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja ka shpërndarë përmes rrjetet sociale, urimin e përvitshëm nga Kisha e Shën Nikollës në Kavajë! “Gëzuar të gjithë besimtarëve dhe le të sjellë kjo ditë e shenjtë paqe, dritë dhe begati për të gjithë”, uron Qosja.

Nga Mitropolia e Korçës, kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo uroi gëzuar Krishtlindjen për të gjithë besimtarët ortodoksë. “Ditë të paqta e të begata në çdo familje!”, ishte urimi i Filos.
/r.e/