E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali Isopolifonisë, Çmimi “Haxhi Dalipi” shkon për grupin e Vlorës

Grupi i Isopolifonisë së qytetit të Vlorës është shpallur fitues i Festivalit Kombëtar të Isopolifonisë, që u zhvillua me rastin e festimeve për 99-vjetorin e Pavarësisë Kombëtare në qytetin bregdetar. Për 2 net me radhë në edicionin e 10-të të këtij festivali u prezantuan grupe nga të gjitha zonat ku këndohet isopolifonia. Grupet e zonës së Labërisë u dhuruan spektatorëve në natën e parë emocione të jashtëzakonshme. Mjeshtër të këngës labe nga Himara, Dukati, Tragjasi, Tërbaçi etj., si dhe të qytetit të Vlorës sollën timbrin e veçantë të isopolifonisë shqiptare. Ndërsa në natën e dytë u soll larmia e isopolifonisë dhe këngëve labe që morën vlerësimin e publikut, nga Gjirokastra, Tepelena. Mallakastra u shtri me pjesëmarrës nga zona e Gramshit, Myzeqeja etj. Spektatorët e shumtë mirëpritën në veçanti grupin isopolifonik nga Struga, ndërsa disa minuta speciale iu kushtuan pjesëmarrësve nga Ulqini e Kosova, të cilët shpalosën me gjithë forcën e shpirtit magjinë e folklorit shqiptar si një vlerë të papërsëritshme jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare.

Në përfundim, Juria e festivalit përzgjodhi grupet fituese, ku çmimi kryesor, i cili mban emrin e personalitetit të paharruar të muzikologjisë shqiptare Haxhi Dalipi, iu dha grupit të isopolifonisë “Jehona” të Vlorës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›