E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia: I premtuam paratë lojtarit , Sukaj: Vata më nxorri jashtë 18-esh

SHKRUAN: Jeton Selimi 29-11-2011 14:16

Administratori kuqeblu, Kujtim Shaba, rrëhen prapaskenat e rebelimit të sulmuesit. Sukaj paskësh kërkuar pak orë përpara ndeshjesh një shumë prej 15 mijë eurosh, ndërsa lojtari tregon se trajneri Rudi Vata e nxorri jashtë skuadrës sapo mori vesh se sulmuesi nuk ndjehej mirë psikologjikisht

Me vendimin e marrë dy ditë më parë, drejtuesit e klubit të Vllaznisë vendosën të “kryqëzonin” Xhevahir Sukajn, sulmuesin kryesor kuqeblu dhe liderin e listës së golashënuesve me 9 rrjeta të tundura në 9 javë të luajtura prej tij. 4 muaj përjashtim nga skuadra, 50% e pagës gjobë dhe një periudhë afatgjatë stërvitjeje me skuadrën e të rinjve, padyshim që kanë rënë si bombë mbi kokën e atij që tifozëria shkodrane nuk ngurroi ta etiketonte si “Hamzai kuqeblu në sfidën ndaj Skënderbeut!”. Reagimi i klubit është dikur si tejet i ashpër për Xhevahir Sukajn, por për administratorin Kujtim Shaba bëhet fjalë vetëm për një zbatim të rregullores së brendeshme të klubit dhe interpretimit të kontratës që lojtari ka me Vllazninë. “Xhevahir Sukaj është pezulluar 4 muaj dhe gjobitur në masën e 50% të vlerës së kontratës. Masat janë marrë pasi drejtuesit e Vllaznisë kanë dëgjuar të gjitha palët. Lojtari na tha se i kishte thënë trajnerit se nuk ndjehej mirë për të luajtur kundër Skënderbeut. Këtë na tha edhe trajneri, ndaj klubi vendosi të ndëshkojë lojtarin pasi nuk u bind nga arsyet e tij,” deklaron adminstratori Shaba. Por, i ngacmuar në lidhjet me çështjet e parave, ku është aluduar se Sukaj ka kërkuar një shumë prej rreth 10 mijë eurosh, Shaba tregon se është zhvilluar një bisedë e tillë, madje se shuma e kërkuar nga Xhevahiri ka qenë 15 mijë euro, 5 më shumë sesa kësti i pretenduar prej tij. “Është e vërtetë se Sukaj na ka kërkuar para, që ne t’i përshpejtonimin dhënien e një kësti prej 10 mijë eurosh që duhej ta merrte në janar, ndonëse lojtari donte 15 mijë euro. Ne, sidoqoftë, ramë dakort që t’ia jepnim Xhevahirit paratë që i nevojiteshin, por i thamë të priste deri në fillim të javës që sapo ka nisur, pasi të shtunën nuk punon bankat dhe ne nuk kishim ku ta merrnim shumën e kërkuar. Mbase kjo ka qenë një nga arsyet e mërzisë së Sukajt, pasi ai i kërkonte me ngulm paratë,” ka treguar Kujtim Shaba, administratori i Vllaznisë, që në fund të fjalës së tij kërkon të sqarojë edhe faktin se te kuqeblutë nuk ka probleme financash. “Mund t’ju them se lojtarët i marrin rrogat e tyre në çdo datë 5 apo 6 të çdo muaji. Bashkia ka siguruar financat deri në shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa në janar, pasi mbledhjes së këshillit bashkiak ku do të caktohet edhe buxheti vjetor, ne do të shohim edhe afrimin e ndonjë aksioneri të mundshëm, çka do të garantonte edhe më tej lojtarët tanë,” ka mbyllur deklaratën e tij administratori Shaba.

Sukaj: Punë parash? Nuk e kam tradhëtuar Vllazninë

Situata është shumë e koklavitur. Nëse drejtuesit e klubit flasin për gjoba dhe për mungesë impenjimi të lojtarit, vetë Sukaj ka treguar se ka qenë trajneri Rudi Vata që e ka hequr nga të grumbulluarit për ndeshjen sapo ka mësuar se lojtari nuk ndhehej mirë psikologjikisht. “Nuk kam patur pretendime financiare dhe nuk kam thënë se nuk dua të luaj ndaj Skënderbeut. Kam thënë se nuk isha mirë psikologjikisht dhe kisha probleme personale. Sapo përfundova fjalinë trajneri me hoqi nga 18-shja dhe nuk më ka thënë që të luaja ndaj Skënderbeut. Unë tradhëtar? Më vjen keq që e dëgjoj një gjë të tillë. Nuk e kam tradhëtuar Vllazninë pasi nuk kam thënë se nuk dua të luaj. Mund të them se mund të kem sakrifikuar më shumë se çdo futbollist tjetër që është aktualisht tek skuadra. Këto janë fjalë boshe dhe se njerëzve unë nuk mund t’ju mbyll gojën për thashetheme apo epitete. Di të them që kam pranuar që për Vllazninë të luaj edhe me lekë më pak dhe kam refezuar shumë oferta që kam patur njëkohësisht. Akord me Skënderbeun? Nuk është aspak e vërtetë. Unë e kam thënë dhe e ritheksoj se në Shqipëri do të luaj vetëm me Vllazninë. Nuk e kuptoj nga dalin këto fjalë pasi aktualisht nuk kam asnjë bisedë me drejtuesit korçarë,” është shprehur Xhevahir Sukaj rreth kësaj situate.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›