E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festivali Teatror i të Rinjve, 11 shfaqje do të ngjiten në tri skenat teatrore të Tiranës

Për të tretin vit radhazi fituesit e “Fondit të Teatrit për të Rinj” bëhen pjesë e festivalit teatrot “Hapat”. Regjisorë, skenografë, kostumografë dhe një kast i gjerë aktorësh nën moshën 35 vjeç do të ngjisin në tri skena në atë të Teatrit Eksperimental, teatrit Metropol dhe ne atë të universitetit të arteve 11 shfaqjet e tyre.

Secila prej shfaqjeve ka pasur në dispozicion një buxhet, që sipas regjisorëve ndonëse është i pamjaftueshëm nuk i ndal të bëhen pjesë e festivalit.

“Jam dakord që fondi ndoshta nuk është më i miri por mundësia është jashtëzakonisht e mirë sepse të ofrohet e gjithë organika e një teatri, skena, njerëz prapa skenës në dispozicion”, tha Rafael Hoxhaj, regjisor.

Për drejtoren artistike të Teatrit Eksperimental, kjo nisëm shërben si një trampolinë e trupës së re teatrale për të qenë pjesë e së ardhmes në skenë.

 “Ne i besojmë ëndrrave, imagjinatës, dëshirave të tyre për të eksperimentuar në fushën e teatrit, për të sjellë disa produksione që janë cilësore nga ana artistike, por kanë  brenda të gjithë fantazinë e brezit të tyre”, deklaroi Ada Ruçi, drejtore artistike e Teatrit Eksperimental.

“Marmelladov” dhe “Hanë gjaku” janë dy shfaqjet e para që do të çelin siparin e festivalit. trupa artistike është kujdesur që secila prej veprave të përcjellë mesazhe të fuqishme, lidhur dhe me aktualitetin.

 “E kemi quajtur “Hanë gjaku” sepse hëna është ndonjëherë simbol i pastërtisë, i ëndrrave i dëshirave. është një vepër që i flet shoqërisë aktuale dhe na bën vetëm një pyetje, kush do fitojë kultura apo instinkti?”, shtoi regjisori.

Festivali teatror “Hapat” fillon nga kjo e martë për të vijuar deri më datë 8 dhjetor ku do të ndahen dhe çmime për shfaqet më të mira. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›