E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festivali i Pranverës në RTSH, të gjithë artistët ftohen në dorëzojnë këngët, aplikimet mbyllen më datë 18 prill

RTSH ka nisur tashmë përgatitjet për organizimin e festivalit te pranverës, i cili rikthehet pas më shumë se dy dekadash në RTSH. Faza e aplikimeve nuk është mbyllur ende, ndërsa ftohen të gjithë artistët të rinj e të afirmuar të bëhen pjesë e një prej eventeve më të rëndësishme artistike, i cili për nga angazhimi dhe përmasat është njëjtë sikundër festivali i Dhjetorit.

“Këngët priten deri me datë 18 prill, është i hapur për të gjithë artistët si të rinj dhe të afirmuar. Pas datës 18 prill RTSh do të mbledh një komision i cili do të seleksionojë këngët me të cilat ai grup artistësh që mendojnë se do të bëhet festivali. Në javën e dytë të majit do të fillojnë provat me bendin dhe me orkestrën. Formati do të jetë i njëjtë me festivalin, formacioni orkestral do të jetë pak më i reduktuar por gjithçka do të jetë si Festivali i Këngës që zhvillohet në dhjetor”, u shpreh Aflred Kacinari, Drejtor artistik i Festivalit.

Ky festival rikthehet me risi, duke premtuar jo vetëm të rrisë shikueshmërinë e publikut për prodhime cilësore artistike, por edhe të jetë një mbështetje për të çdo artist.

“Ajo që kemi menduar të bëjmë është që krahas këngëve konkurruese, të ri interpretohen një numër këngësh ndër vitesh, mendojmë që do të jetë diçka e bukur dhe interesante”, tha ai.

Krahas festivalit të Pranverës, që do të ngre siparin në datat 6-7 Qershor në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, vëmendja e RTSH është edhe tek Evrovizioni ku Shqipëria përfaqësohet nga Alis Kallaçi me këngën “Nan”.

Gazetare: E. Lamja   

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›