E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i Pranverës në RTSH, zbulohen emrat e prezantuesve

Këngëtarja e njohur Bleona Qereti dhe aktori Nik Xhelilaj do të jenë prezantuesit e Festivalit të Pranverës. Emrat e prezantuesve u bënë me dije nga moderatorja Fjodora Fjora në emisionin “Çasti i Duhur”.

“Konfirmojmë dy prezantuesit e Festivalit të Pranverës, i cili rikthehet pas 22 vitesh në ekranin e RTSH: këngëtarja Bleona Qereti dhe aktori Nik Xhelilaj. Urime ekipit fantastik të kësaj dyshe që mezi po pres t’i shoh në skenë”, u shpreh moderatorja.

Në 1999-ën, Bleona Qerreti ka bashkëprezantuar Festivalin e Pranverës apo i njohur si Këngët e Stinës, por këtë herë ajo rikthehet me një pjekuri muzikore, sharmin e saj unik dhe një famë përtej atlantikut.

Edhe aktori shqiptar me karrierë dhe çmime ndërkombëtare, Nik Xhelilaj ka drejtuar në 2011 festivalin e 50-të këngës në RTSH, ndërsa në 2023 është ngjitur në skenë si i ftuari special në Festivalin e 62-të të Këngës. Edhe ai ringjitet këtë herë në skenën e këtij eventi muzikor me figurën e një artisti shumë dimensional.

Festivali i Pranverës do të mbahet në datat 6 dhe 7 qershor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke ringjallur jo vetëm një event muzikor, por edhe kujtesën dhe emocionet e një kohe që publiku shqiptar e ka dashur gjithmonë.

Në këtë edicion do të ngjiten në skenë 20 artistë, të cilët do të sjellin interpretime live, në një ndërthurje mes nostalgjisë dhe risive bashkëkohore.

Ndërkohë, Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe bendi muzikor kanë nisur provat intensive dhe po punojnë mbi partiturat e këngëve që do të interpretohen live, duke i dhënë formë një spektakli që premton emocione dhe cilësi artistike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›