E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i dhjetorit, sot nis gara e gjallë

enkelejda zeko, kreshnik xhelilaj, hygerta sako, tre prezantuesit e festivalit gjate provave - Fotot: Albert Thoma

Nis edicioni i 50-të i ngjarjes më të madhe muzikore.

Këngëtarët: Më e rëndësishmja e këtij edicioni është të kënduarit 100% live.

Starton sot edicioni i 50-të i Festivalit të Këngës në RTSH. Janë 28 këngë që do të konkurrojnë për çmimin e parë të festivalit e më pas për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian. Sot është nata e parë, gjatë së cilës do të ngjiten në skenë 14 këngët e para, prej të cilave 10 do të shkojnë në finalen e 29 dhjetorit. Këngët do të përzgjidhen nga një juri e përbërë nga 7 personalitete të fushës së muzikës, por jo vetëm. Juria e këtij viti përbëhet nga Zhani Ciko, Zana Shuteriqi, Edmond Xhani, Aldo Shllaku, Ndriçim Xhepa, Redon Makashi dhe Robert Rakipllari. Në natën finale votimi i tyre do të jetë i drejtpërdrejtë, çka ua shton ca më tepër përgjegjësinë për zgjedhjet e tyre. Këtë vit drejtimin e festivalit e ka marrë në dorë Martin Leka, regjinë Osman Mula, skenarin Pandi Laço e Edlira Birko, ndërsa prezantimin Hygerta Sako, Kreshnik Xhelilaj dhe Enkelejda Zeko. Gjatë netëve nuk do të mungojnë edhe të ftuarit e huaj, me të cilët do të ndahet gëzimi i një jubileu. Përveç që ky edicion përkon me 50-vjetorin e Festivalit të RTSH-së, çka do të thotë një udhëtim i gjatë në rrugën e këngës, ai do të mbahet mend edhe për kthimin në traditën e dikurshme, atë të interpretimit të gjallë (live), por kuptohet me një teknologji shumë më të avancuar se dikur. Orkestrës së RTSH-së, e cila ka qenë gjithnjë live, i është shtuar edhe një bandë muzikore, nën drejtimin e maestro Shpëtim Saraçit, që këtë vit është edhe drejtori artistik i festivalit. Që nga këngëtari, tek baza orkestrale, tek harqet… gjithçka do të zhvillohet drejtpërdrejt nga skena e Pallatit të Kongreseve dhe në ekranin e RTSH-së. Prej shpalljes së këngëve pjesëmarrëse janë zhvilluar çdo ditë prova intensive, të cilat ndryshe nga herët e tjera kanë qenë individuale, çka nga njëra anë ka bërë që këngëtarët të mos njihen qysh herët me këngët e njëri-tjetrit, pra të ketë më pak thashetheme, por nga ana tjetër ka krijuar mundësi që këngëtarët të provojnë e të përmirësohen pa pasur sikletin e kolegëve. Nëse në fillim kjo i ka çoroditur paksa, pasi u është dukur sikur nuk po e ndienin festivalin, pas ditë provash të disiplinuara, kjo zgjidhje e Saraçit u është dukur më e mira. Megjithatë prova e zjarrit është sot. Sot do të provohet rezultati i gjithë asaj pune të bërë për muaj me radhë.

Një vit më parë, fitoi çmimin e tretë
Saimir Braho: Qëllimi im të kap një këngë, jo një çmim

Saimir Braho

Saimir Braho i do festivalet. Tashmë ka arritur atë pjekuri sa të pretendojë, jo më për çmime, por për këngë të bukura, të cilat të shkojnë tek publiku. Uron tia ketë arritur këtë vit me një këngë të fortë, si gjithmonë me një mesazh drejtuar audiencës. Një ditë para se të konkurrojë, thotë se ajo që këtë vit ia vlen mbi çdo gjë, është të kënduarit live dhe disiplina e vendosur në punë nga maestro Saraçi.
Ju jeni një mik i përhershëm i festivalit, por këtë vit përkon edhe me 50-vjetorin. Është kjo një arsye më shumë këtë vit, për të marrë pjesë?
Po i shmangem qëllimisht pyetjes, sepse nuk është problemi tek 50-vjetori. Kësaj here ajo që bën diferencën nuk është 50 vjet muzikë, por të kënduarit live, niveli artistik, teknik dhe profesional i artistëve. Nuk diskutohet i Orkestrës së RTSH-së, por edhe i bandës që ka sjellë maestro Saraçi. Kjo është një arsye shumë e mirë për të marrë pjesë në festival.
Thonë se Shpëtim Saraçi ju ka vënë në rreshtore…
Kur kam ardhur dhe më kanë thënë që nuk lejohet të hysh në prova, si në radio edhe këtu, sepse do zhvillohen vetëm me këngëtarin dhe autorët, atëherë thashë, më në fund ne po ecim në rrugën e duhur. Nuk është çështje rreshtoreje, por edukate. Muzika është kaq shumë delikate dhe për hiçgjë mund të prishet gjithçka. Edhe ajo kërkon disiplinë.
Kënga juaj quhet Ajër, ku frymon ajo?
Jam vënë pak përpara paradoksit të jetës sonë. Ka të bëjë me përballjen me realitetin, jo duke protestuar, apo duke i gërthitur, por në një mënyrë krejt tjetër, duke e pranuar atë. Jo duke qenë indiferent, por duke thënë që ka vend për ty, por ka vend edhe për mua. Ka vlera në jetë edhe në këtë vend, që humbasin për shkak se realiteti bërtet për gjëra të tjera, por ka edhe gjëra, që nuk janë të vogla dhe për të cilat ia vlen të jetosh në këtë vend. Ka një tekst të paqtë, por një muzikë luftarake, simforrok.
Pas çmimit të tretë një vit më parë, pretendoni diçka më shumë?
Ajo që pretendoj unë prej ca kohësh (jo që në fillim), është të kap një këngë. Kam pasur kënaqësinë të shoh se çdo të thotë të fitosh një këngë, që pas festivalit të këndohet nga njerëzit, nëpër koncerte, atje ku luhet muzika live. Kështu që jam aq i pjekur tanimë, që të futem në festival për të kapur një këngë, më shumë se një çmim.

Mariza Ikonomi: Këtë vit ia vlen

Mariza Ikonomi

Në nxitim e sipër, gjithnjë ka thënë se nuk do të marrë më pjesë në festival, por sërish është kthyer. Ka ardhur nga Franca për të qenë e pranishme në këtë edicion, me një këngë të Sokol Marsit, titulluar Lërmë të të dua. Nuk u shpëtojmë dot këngëve të dashurisë, por kjo është një nga ato dashuritë jo fatlume, thotë Mariza. Sa i përket pjesëmarrjes së këtij viti, ajo është vërtet e kënaqur. Këtë vit më pëlqen shumë organizimi. Gjithçka është në vendin e vet, që nga provat, aq më tepër të kënduarit live. Ia vlen të marrësh pjesë në këtë 50-vjetor, thotë Mariza. Sa u përket pritshmërive, ajo tashmë ka mësuar të jetë e duruar. Nuk e di. Është një këngë që duhet vlerësuar dhe unë shpresoj që juria ta vlerësojë, por më e rëndësishme është të jap një emocion tek publiku e të jap më të mirën, pastaj të tjerat ia lë në dorë jurisë, thotë Ikonomi, e cila gjithashtu është një pjesëmarrëse thuajse e rregullt në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar. Por deri më tani ka shkuar më së shumti te çmimi i dytë, pa prekur ende të parin. Mariza do të këndojë në natën e dytë të festivalit.

Rona Nishliu: Vij me një eksperiencë personale
Vjen nga Kosova me një kompozim të Florent Boshnjakut

Rona Nishliu

Më pëlqen të sjell në skenë eksperienca personale. Kështu thotë këngëtarj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›