E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festivali ndërkombëtar i video-artit “Gjon Mili”, Korça mirëpret edicionin e 3-të të këtij Festivali

Edicioni i tretë i festivalit ndërkombëtar të video-artit rikthehet në vendin e origjinës, në muzeun “Gjon Mili” në Korçë, aty ku mori dhe fillesat e para.

Në këtë edicion janë përzgjedhur 62 artistët ndërkombëtarë, ndërkohë që një numër i madh artistët të ftuar do t’i bashkohen aktivitetit.

“Ajo që duam të sjellim te publiku është pikërisht kjo: të ndërrojmë mentalitetin e filmave eksperimentalë apo zhanreve eksperimentalë, ku artistët njëkohësisht të gjejnë edhe një vend për të shfaqur punët e tyre. Video-arti është shumë tërheqës. Artistët e video-artit janë artistë të cilët ftojnë gjithmonë për frymëzim edhe artistë të tjerë, të cilët zhvillojnë zhanre të tjera më të rëndësishme, siç janë filmi dhe dokumentari,” tregon Yllka Gjollesha, themeluese e festivalit.

Për Bashkinë e Korçës është nder të mirëpresë një festival kaq dinjitoz.

“Këta artistë në të gjitha eventet ndërkombëtare që Bashkia ka ideuar, realizuar dhe zhvilluar në vite të ndryshme kanë qenë ambasadorët më të mirë të Korçës në vendet prej nga vijnë, si edhe kanë sjellë vlerat më të mira të artit të tyre në Korçë,” shprehet nënkryetarja e Bashkisë Korçë, Benila Themeli.

Si çdo vit për festivalin zgjidhet një temë që udhëheq. Ajo e këtij edicioni është drita e lëkurës, duke i dhënë një dimension të ri dialogut mes artit vizual dhe perceptimit njerëzor.

“Të gjitha projeksionet filmike të video-arteve kanë në fakt ‘sound’ [përk. zë, tingull] shumë të veçantë. Të shijuarit e ‘sound’-it është po aq pjesë e rëndësishme e imazhit dhe e videos,” tha regjisorja Suela Bako.

Festivali mban emrin e mjeshtrit të madh të fotografisë dhe artit vizual Gjon Mili me origjinë nga Korça, i cili është njohur ndërkombëtarisht për punën e tij dhe bashkëpunimet me figura të shquara, si Pablo Picasso.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›