Feston Katalunia

Përfundimi i ndeshjes së zhvilluar të martën ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit përmbylli ciklin e ‘El Clasicos’ këtë sezon. Ishin plot 5 përballje ndërmjet gjigantëve spanjollë, por edhe evropianë, në tri gara: La Liga, Liga e Kampionëve dhe Copa del Rey.
Barcelona e siguroi finalen e kompeticionit më të rëndësishëm evropian, pasi në gjysmëfinale e eliminoi Realin. Katalunasit e festuan këtë fitore tërë natën, ndërsa madrilenët dolën nga fusha të zhgënjyer me gjyqtarin, ndaj të cilit u ankuan të gjithë.
“Është një arritje e madhe të shkosh në finale në fund të një ndeshjeje si kjo. Aq më shumë duke e eliminuar një skuadër të madhe si Real Madrid, ekipin më të pasur në botë, i cili ka 7 sulmues të frikshëm. Në pjesën e parë e kontrolluam lojën dhe krijuam raste, por u ndalëm nga Casillas në formë”, tha trajneri Guardiola.
“Në të dytën ngecëm paksa, por goli na solli qetësinë. Nëse Reali do ta shënonte golin e dytë, do të ishim në vështirësi. Jemi të lumtur, është një rezultat i jashtëzakonshëm, këta djelmosha e meritojnë këtë”, vazhdoi ai.
Edhe David Villa i është gëzuar kësaj arritjeje të katalunasve. “Jam mjaft i kënaqur me mënyrën se si shkuan gjërat, jemi të lumtur që u kualifikuam në finale”, theksoi ai.
Në anën tjetër, trajneri Aitor Karanka, i cili e udhëhoqi Realin për shkak se Jose Mourinho ishte i suspenduar, ka mbetur i zhgënjyer me gjyqtarin e ndeshjes, i cili sipas madrilenëve, e anuloi një gol të pastër të Higuain.
“Mourinho i ka uruar lojtarët për lojën, por ai është i indinjuar. Në Bernabeu ishte vendosur gjithçka, për këtë kishte drejtë Jose. Thoshte se ishte e pamundur të shkosh në finale dhe kështu doli. Rezultati 0:1 do të ndryshonte gjithçka. Nuk e kam parë mirë, por për tërë botën ai gol ishte i rregullt”, deklaroi Karanka.
Të ashpër në deklaratat e tyre ishin dy futbollistët ‘Merengues, Cristiano Ronaldo e kapiteni Iker Casillas. “Ishte misioni i pamundur 4. Ose kjo situatë duhet të ndryshojë, ose le të lëmë Barçën që të luajë vetëm”, tha portugezi. - “Na pushkatuan, na vodhën finalen”, ankohet portieri spanjoll.
Versionet e mediave spanjolle
Mediat spanjolle, por edhe ato evropiane, i kanë dhënë hapësirë dhe rëndësi të madhe kësaj super-sfide të kontinentit të vjetër. Gazetat katalunase është e natyrshme se ia kanë mbajtur anën Barçës.
“Tung Madrid, ne po shkojmë në Wembley”, shkruan e përditshmja katalunase Sport. “Triumfi i futbollit”, “Sepse Barcelona është më e mira”, “Triumfi i futbollit”, “Zotërinjtë ambasadorë të futbollit”, “Ka folur futbolli, ka folur Barça”, ishin titujt tjerë të gazetave katalunase të mërkurën.
Ndërsa gazetat madrilene u morën më shumë me ankesa. “Ishte një mision i pamundur”, shkruan Marca. “I frikshmi De Bleeckere e dha një faull të Ronaldos për ta evituar golin e Higuain”. “0:2 i ndeshjes së parë peshoi shumë”, “Los Blancos i thonë fund titullit të dhjetë me dinjitet dhe kurajë’, “Dukej si një incident”, ishin titujt e të përditshmeve të tjera madrilene.