Mrekullia Abidal

Eric Abidal i ka mahnitur të gjithë duke u kthyer para kohe në fushën e blertë, pas operimit që pati në mëlçi, pasi mjekët i kishin zbuluar tumor.
Mbrojtësi francez, i cili rrezikonte jetën, natyrisht edhe karrierën, është kthyer të martën mbrëma në minutat e fundit në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, kur zëvendësoi mbrojtësin Carles Puyol.
I tërë stadiumi u ngrit në këmbë për ta përshëndetur francezin, i cili nuk luante nga muaji mars. Ai nuk do ta harrojë kurrë këtë ndjenjë.
“Emocionet e miksuara fillojnë me faktin se ky ekip shkoi në finale. Mirëpo, më duhet ta pranoj se ishte ditë e veçantë për mua për gjithë atë që m’u ofrua. Të kthehem dhe të jem i pritur në këtë mënyrë, këtë nuk do ta harroj kurrë. Ky është klubi im, gjithmonë kam dashur të vij këtu dhe kurrë nuk dëshiroj të largohem”, tha Abidal pas ndeshjes.
Ai e ndien se njerëzit në Spanjë e duan dhe ai i do ata. Futbollisti i krahut premton se do ta japë më të mirën në fushë, si gjithmonë. Abidal tregon se po punon fort qe 3 javë, për ta kthyer formën më të mirë. Ai shpreson që të luajë në finale të Ligës së Kampionëve, më 28 maj në Wembley.
“Ëndërr imja ishte që të kthehem dhe ta ndihmoj ekipin, i cili kishte disa lëndime. Shpresoj që të jem i gatshëm për finale”, përfundoi përfaqësuesi francez.