E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fetai ftohet nga Danimarka, por jo për Botëror

Sulmuesi i FC Nordsjaelland, Bajram Fetai të hënën është ftuar në Kombëtaren e Danimarkës, e cila ka filluar kampin përgatitor për Kampionatin botëror, që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut gjatë kësaj vere.

Ai është ftuar në mungesë të futbollistit të Ajax, Dennis Rommedahl, i cili nuk ka mundur të udhëtojë drejt Danimarkës për shkak të hirit vullkanik.

“Kam marrë një ftesë nga trajneri, pasi disa futbollistë kanë munguar në stërvitje. Unë jetoj afër vendit ku kombëtarja po i zhvillon përgatitjet, kështu që besoj që kjo është arsyeja pse jam ftuar. Nuk ka shumë për të thënë lidhur me këtë çështje”, ka thënë Fetai për mediat daneze.

Sulmuesi me prejardhje shqiptare nuk është pjesë e listës prej 30 futbollistëve të Danimarkës për Kampionatin botëror dhe thotë se do të jetë pjesë e stërvitjeve vetëm të hënën.

“Nuk kam shpresa për Kampionatin botëror, kështu që jam i zhgënjyer. E kam ëndërr të luaj me Kombëtaren daneze, por jo kësaj radhe”, thotë Fetai.

Megjithatë, atij i vjen mirë që ka rastin të stërvitet një futbollisti siç është Jon Dahl Tomasson.

“Jam krenar që jam partner i tij në sulm”, thotë Fetai i cili po shkëlqen në kampionatin danez me skuadrën Nordsjaelland.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›