Fetel, mjeshtri i pole position

Sebastian Fetel fitoi pole position në Grand Prix të Hungarisë, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës së Red Bull, Mark Uebber. Për gjermanin bëhet fjalë për pole e katërt rresht. Fituesi tha pas kualifikueseve: “Teknikët më kanë dhënë një makinë fantastike, është një kënaqësi ta pilotoj”. Duke parë dhe formën e makinave Red Bull në provat e lira askush nuk kishte dyshime se do të ishte një duel midis dy makinave të tyre në garën për vendin e parë në Hungaroring, por ishte Fetel ai që i nxori më shumë motorit të tij. Fetel ishte edhe më i shpejti në praktikën e së premtes, ndërkohë që në provën zyrtare ai kapi kohën 1 minutë e 18.773 sekonda. Koha e Ueberit ishte 1 minutë e 19.184 sekonda, por më e shpejtë se e Fernando Alonsos me Ferrarin e tij. Felipe Masa, i cili i ishte dëmtuar shumë keq në këtë garë vitin e kaluar, dhe që iu vodh fitorja nga Alonso në çmimin e madh të Gjermania, u rendit i katërti. Luis Hamilton u rendit i pesti, por me gati 1.5 sekonda më i ngadaltë se sa makinat Red Bull.
“TRE MAJKËLLIT”
Sebastian Fetel (ka lindur, më 3 korrik të vitit 1987 në Hepenheim, një qytezë me vetëm 25 mijë banorë), është një nga të rinjtë e talentuar në Formula 1, në kampionatin e makinave të shpejta. Talenti gjerman i Formula 1 gjatë një interviste dëshmoi se ai ishte një tmerr i vërtetë në shkollë. Sebastiani ka treguar se në fëmijërinë e tij heronjtë e tij ishin “Tre Majkëllit”, të cilët ishin Majkël Shumakër, Majkëll Xheksoni dhe Majkëll Xhordani. Fetel pohoi se ai dëshironte të bëhej këngëtar si Majkëll Xheksoni, një ëndërr që sigurisht nuk u realizua, pasi ai nuk kishte fare zë për të kënduar. “Jam rritur me posterat e Mikael Shumakerit në muret e dhomës së gjumit”. Fetel, si shumica e pilotëve të tjerë, jeton në Zvicër.
“BABY SHUMI”
Fetel e nisi karrierën e tij si pilot në vitin 1995, duke fituar tituj të ndryshëm me makinat kart. Në vitin 2004 ai fitoi kampionatin gjerman të Formula BMË me 18 fitore në 20 gara. Në vitin 2006, Fetel u bë piloti i tretë i skuderisë BMË Sauber dhe bëri përshtypje të mirë në Çmimin e Madh të Turqisë. Në korrik të vitit 2007, BMW e la Fetelin, i cili u bashkua me skudeinë Red Bull, duke fituar vetëm 165 mijë dollarë në sezon. Garën e parë të tij ai e fitoi në vitin 2008 në Çmimin e Madh të Italisë.
Në fund të sezonit 2009, Fetel mbajti një numër të madh rekordesh, kryesisht duke qenë piloti më i ri në disa tregues. Duke marrë pjesë në praktikat e Çmimit të Madh të Turqisë në vitin 2006, ai u bë piloti më i ri i Formula 1 që merrte pjesë në një Çmim të Madh, me vetëm 19 vjeç e 53 ditë. Më 30 shtator të vitit 2007, gjatë Çmimit të Madh të Japonisë, ai u bë piloti i gjashtë më i ri që udhëhiqte një garë. Gjatë kualifikueseve të Çmimit të Madh të Italisë në vitin 2008, ai u bë piloti më i ri në moshë në Formula që fitonte një pole position, një garë e zhvilluar në shi. Ai fitoi garën duke u bërë piloti më i ri në moshë që fiton me dy makina të ndryshme.
Pronari i Red Bullit, miliarderi Dietrish Mateshitc, besonte se Fetel do të bëhej një nga yjet më të mëdhenj të Formula 1 në të ardhmen. “Fetel ka një potencial të jashtëzakonshëm. Ai është i shpejt, inteligjent dhe është shumë i interesuar në anën teknike”. Me rezultatet që ka arritur Fetel te Red Bulli, ai konsiderohet nga tifozët si një “Shumaker i ri” apo “Baby Shumi”, jo vetëm për kombësinë e tij gjermane, por dhe stilin e tij të pilotimit, përqendrimin dhe marrëdhënieve me inxhinierët. Gjithsesim, ai vetë nuk e krahason veten me Mikaelin. “Ju nuk mund të krahasoni Miakelin dhe mua vetëm për faktin se që të dy jemi gjermanë. Ka shumë gjëra për të mësuar nga djem të tillë si Mikaeli, por ju nuk mund t’i kopjoni kurrë ata. Ju duhet të gjeni stilin tuaj”. Këtë sezon, Fetel ka fituar dy gara: atë Malajzizë dhe Europës (të zhvilluar në Spanjë).
Sebastian Fetel
Datëlindja: 3 korrik 1987
Shënja: gaforja
Gjatësia: 174 cm
Pesha: 64 kg
Kampionate fituara: 0
Fitore: 7
Podiume: 14
Pole position: 12
Gara e parë: 2007, GP SHBA
Fitorja e parë: 2008, GP Itali
Fitorja e fundit, 2010, GP Europë
Hobi: not, fitnes, biçikleta
Pija e preferuar: Red Bull
Ushqimi i preferuar: makarona
Muzika: të gjitha llojet
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Shtune, 31 Korrik 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili