Fidel Ylli: I gatshëm për ministër Sporti. Dorëzoj mandatin
Fidel Ylli konfirmon se është i gatshëm të lerë mandatin për t’u bërë pjesë e qeverisë nëse i kërkohet. Një ndër deputetët më aktivë të qarkut të Beratit, Ylli ishte hartues i “Programit të Rilindjes” për sportin. Ndaj, ai e sheh si sfidë personale përmbushjen e këtij programi në krye të dikasterit të sporteve i cili deri më tani ka qenë i bashkangjitur me ministrinë e Kulturës. “Asnjëherë nuk është për të thënë se jam në dispozicion të PS për të qenë një deputet i përgjegjshëm siç kam qenë në katër vitet e mandatit që shkoi, që pavarësisht se kam qenë në opozitë për çdo javë kam qenë pranë zonës sime të Skraparit dhe qarkut të Beratit. Në rast se do ti duhem zotit Rama, PS, për të qenë pjesë e kabinetit, unë jam në dispozicion të kësaj force politike që ne këtë program të kemi mundësi me ardhjen e qeverisë në shtator të fillojmë menjëherë për ta interpretuar”, tha Ylli. Premtimi për të qeverisur me gjysmën e shpenzimeve të demokratëve dhe arka bosh që po trashëgojnë prej tyre, sipas Yllit do të ndikojë drejtpërdrejtë në numrin e ministrave që do ketë qeveria e re.(AS)