E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier/ Arrestohen 3 persona, dyshohen për zjarrvënie me qëllim që rrezikuan banesa, sera dhe sipërfaqe të mëdha toke

Tre persona janë arrestuar në Fier dhe Lushnjë, pasi dyshohet se kanë shkaktuar zjarre që rrezikuan banesa, sera dhe sipërfaqe të mëdha toke.
Në Fier, në pranga ra një 31-vjeçar nga fshati Pojan. Sipas Policisë, ai dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, por për shkak të erës flakët u përhapën me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe sipërfaqe të mëdha pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Ndërkohë, në Lushnjë u arrestua një 56-vjeçar, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij. Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër.

Në pranga përfundoi edhe një 49-vjeçar nga fshati Golem, i cili dyshohet se i vuri flakën mbeturinave në tokën e tij, por zjarri doli jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si edhe duke rrezikuar disa sera në afërsi.

Sipas Policisë, falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivëve dhe shërbimit zjarrfikës, vatrat e zjarrit u shuan pa shkaktuar dëme në banesa apo rrezik për banorët.
Policia e Fierit u bëri apel qytetarëve të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore dhe çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke kujtuar se përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›