E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fier, Basha: Vettingu në politikë përparësi, në mënyrë që të mos përsëriten ngjarje si ajo e Fushë- Krujës

Qarku i Fierit ka qenë një tjetër stacion i Lulzim Bashës, si pjesë e një serie takimesh që ai po zhvillon në kuadër të zgjedhjes së kryetarit të ri të PD-së.

Sipas Bashës, riorganizimi i Partisë Demokratike dhe përgatitja për përballjen e ardhshme elektorale me kundërshtarin politik, duhet të kalojë përmes hapjes, modernizimit dhe fuqizimit të çdo strukture.

Basha, në takimin me demokratë të Fierit, ka nënvizuar se përfshirja e të rinjve, e diasporës, e profesionistëve me integritet, e shtresave që historikisht “kanë përbërë ashtin e forcës sonë politike, të përndjekurit dhe pronarët, do të jetë në qendër të procesit që kemi nisur”.

“Të vetëdijshëm se shkëputja nga anët e errëta të të shkuarës sonë çel rrugën për një parti edhe më përfshirëse se më parë, në aleancë me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, do të ofrojmë një alternativë të vlerave me një projekt të qartë ndryshimi, që vetëm Partia Demokratike mund ta garantojë.”- theksoi Basha.

Sipas tij, beteja e drejtë dhe rëndësishme që PD-ja kemi zhvilluar për miratimin e ligjit të Dekriminalizmit, duhet çuar edhe më tej, në mënyrë të tillë që ngjarjet e tmerrshme si ajo e Fushë- Krujës të mos përsëriten dhe integriteti i të zgjedhurve të mos cënohet nga përfshirja e kriminelëve të lidhur me pushtetin.

“Për këtë arsye vetting-u për politikanët është sot një prioritet për të siguruar që institucionet të drejtohen nga njerëz që votohen për të shërbyer në interes të qytetarëve, jo të bandave. Ky është modeli për të cilin Partia Demokratike qëndron me vendosmëri, sepse besojmë fortë se pusheti u përket qytetarëve të ndershëm të këtij vendi dhe ata duhet të jenë të lirë ta ushtrojnë larg modeleve destruktive që kanë shkatërruar zgjedhjet dhe përfaqësimin politik.”- deklaroi Basha.

Sipas tij, pastrimi i politikës nga çdo lidhje me krimin dhe korrupsionin, garantimi i garës përmes listave të hapura, kufizimi i mandateve dhe vota e diasporës do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e vendimmarjes në çdo nivel të politikës shqiptare, duke përmirësuar përfaqësimin e qytetarëve dhe garantuar që në zyrat e shtetit të shkojnë njerëz me integritet, përgjegjshmëri dhe besueshmëri, që mëshirojnë vlera dhe veprojnë në shërbim të interesit publik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›