Fier, ekzekutuan emigrantin, pranga 3 adoleshenteve
FIER- Janë arrestuar sot në mëngjes 2 nga autorët e rrëmbimit dhe ekzekutimit të 32 vjecarit nga Fieri. Trupi i emigrantit u gjet të shtunën paradite nga kalimtarë të rastit, në një tunel të ish-repartit të tankeve në fshatin Levan të Fierit.Policia informon se 17-vjeçarët Sotir Hajdini dhe Romeo Osmani janë arrestuar sot në mëngjes, ndërsa i dyshuari si autor i tretë, Miço Osmani, 18 vjeç ishte arrestuar dy ditë më parë. Sipas policisë, Hazizaj me automjetin e tij kishte kaluar në fshatin Levan të Fierit ndërsa ikte për në Frakull. Tre adoleshentët akuzohen se e kanë ndaluar dhe i kanë hipur të armatosur në automjet, duke e drejtuar për në tunelin e ish-repartit të tankeve të ushtrisë. Aty i kanë marrë 3 mijë lekët që kishte me vete, celularin dhe sende të tjera personale dhe më pas e kanë ekzekutuar me armë automatike. Autorët kishin përdorur sërish mjetin e viktimës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Automjeti është gjetur nga banorët rreth 2 kilometra larg vendit ku u ekzekutua Hazizaj. Po sipas burimeve policore, mjeti ishte lënë pranë lagjes së tre romëve të dyshuar si autorë. Të sinjalizuar nga banorët për mjetin e braktisur, oficerët e shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Fierit kanë kryer krehjen e zonës duke gjetur më pas brenda në tunel, trupin e pajetë të Hazizajt. Policia ka vijuar me grumbullimin e informacioneve në rrugë operative për personat që ishin parë të lëviznin me mjetin e braktisur. Ishin këto informacione që zbuluan se në makinën e viktimës kishin qenë tre të dyshuarit, dhe kaq ka mjaftuar që shërbime të shumta të policisë të nisnin kontrollet në banesat e tyre. Policia ka gjetur vetëm Miço Osmanin në banesë, ndërsa dy të tjerët rezulton të ishin larguar fill pas ngjarjes. Arrestimi i tyre është bërë i mundur vetëm sot në mëngjes.(s.g/balkanWeb)