E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, plumba shefit te krimeve pas sherrit në lokal

FIER- Zbadhet ngjarja e plagosjes së shefit të Krimeve në Komisariatin e Policisë së Lushnjës, Altin Hadëri. Gazeta Shqiptare shkruan sot duke iu referuar burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit se përjashtohet në mënyrë kategorike versioni se krimi mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës që kryen viktima. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 06. 30 minuta, para se të nisej për në Lushnjë, 31-vjeçari ka shkuar për të pirë kafe në një lokal (shërben njëkohësisht dhe si pikë eurollotosh), në lagjen "Apollonia", që është në pronësi të kunatit të tij. Në lokal ka nisur të debatojë me klientin Robert Genica. Sipas burimeve policore, ky i fundit ka hedhur bishtat e cigareve në tokë. Ndërsa Altin Hadëri i ka thënë Genicës që të mos i hidhte cigaret mes lokalit, ka nisur dhe sherri mes tyre. Grindja mes efektivit të policisë dhe 31-vjeçarit ka vazhduar deri jashtë lokalit, duke degjeneruar në konfrontim me armë. Në çast, i riu Robert Genica ka qëlluar me një pistoletë artizanale efektivin e policisë dhe më pas është larguar me shpejtësi të madhe nga vendi i ngjarjes. Krismat e armës kanë shkaktuar panik tek kalimtarët e rastit, ndërsa policia është vënë në alarm. Hadëri i cili kishte vetëm pak kohë që ishte emëruar në postin e shefit të krimeve në Lushnje, kishte marrë plagë në bark, dhe plumbi kishte depërtuar deri në shtyllën kurrizore. Policia e Fierit ka shpallur në kërkim të riun Robert Genica. Mësohet se 31-vjeçari njihet si person problematik në Fier. Me gjithë kërkimet e bëra, deri në orët e vona të mbrëmjes të së hënës nuk u bë e mundur vënia në pranga e autorit të krimit. Ndërkaq, blutë e Fierit po bashkëpunojnë me homologët e Vlorës, Gjirokastrës dhe Durrësit për kapjen e Genicës.(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›