E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, vrasja e shqiptarit se komplimentoi një vajzë

MILANO- Komplimentet e bëra në drejtim të një femre në lokalin e natës në Milano i kanë kushtuar jetën një fieraku, ndërsa janë plagosur një shqiptar dhe një italian që ndodheshin me të në tavolinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesnate duke u gdhirë e hëna. Artin Avrami 38 vjeç, është qëlluar për vdekje me pistoletë, ndërsa një shqiptar tjetër shok i tij është plagosur në ije dhe një italian që ndodhej me ta, është goditur me qytë pistolete në kokë. Krimi ka ndodhur pas një grindjeje të ndodhur brenda ambienteve të bar “Il Brigante” në Tavecchia numër 18 në Rho, provincë në Milano. Lajmi konfirmohet nga agjencia e lajmeve ANSA, e cila u referohet burimeve të policisë lokale. Sipas të njëjtave burime, viktima me dy shokët e tij kishin shkuar për të pirë në lokal kur janë konfrontuar me një tryezë tjetër, që nga gjuha e folur dyshohet të jenë shqiptarë. Komplimentet për një vajzë që ndodhej në tryezën tjetër mësohet të kenë provokuar grindjen, e cila më pas ka precipituar në të shtëna arme. Avrami është përshkuar nga një plumb në gjoks duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët mësohet të jenë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa karabinierët e skuadrës së Rho dhe ata të seksionit të hetimit të Monzës kanë shoqëruar dhe marrë deklarime për ngjarjen nga dëshmitarë të shumtë që ndodheshin në lokal. Në fakt, në lokal në momentin e grindjes ndodheshin rreth 50 persona. Të shtënat në lokalin përplot me klientë mësohet të kenë qenë më shumë se 10. Karabinierët në bazë të dëshmive kanë ngritur identikitin e autorit të ngjarjes, i cili do i shpërndahet të gjitha stacioneve të karabinierëve në zonë. Kjo nuk eshte ngjarja e radhes tronditese ne Itali me protagonist, shqiptaret. Javën e kaluar një emigrant shqiptar vrau të shoqen në Itali. Ngjarja ndodhi në banesën e tyre në rrugën “Segantini” në Teramo. 50-vjeçari Shkëlqim Koni qëlloi për vdekje me thikën e bukës të shoqen Rudina Koni. Karabinierët arrestuan autorin, ndërsa fëmijët e tij iu lanë në kujdes të afërmve.(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›