E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, shpërthim në një pus nafte, evakuohen banorët në panik: Na rrezikohen banesat

FIER-Shpërthen një fontan i një pusi nafte në fshatin Belin në zonën e Marinzës në Fieri. Burime nga policia e Fierit bëjnë me dije se pusi nuk ishte në punë në kohën e shpërthimit teksa shpërthimi vijon prej orës 16:30.

Shpërthimi ka shkaktuar panik, pasi rrezikon banesat e fshatit të cilat ndodhen pranë pusit ku ndodhi shpërthimi.

Fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të lënduar nga shpërthimi, ndërkohë specialistët po tentojnë të shmangin pasojat e shpërthimit, pasi vijon të çlirohet gaz dhe naftë bruto. Bankers Petroleum ka mobilizuar punonjësit për të bllokuar tubacionet. Ndërkohë për arsye sigurie janë evakuar banorët banesat e të cilëve ndodhen pranë pusit.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi ka ndodhur për shkak të vjedhjes së kapakut të pusit, me qëllim për të shitur për skrap. 

BANORI: NJË TJETËR PUS NA RREZIKON BANESAT
Banorët e alarmuar rrëfejnë momentet e shpërthimit, ndërkohë që një banor i zonës shpreh shqetësimin për një tjetër pus që rrezikon banesat e tyre pasi ndodhet në oborrin e familjes së tij.

“Më ka rënë vici, shpendët. Deri tani nuk jemi rrezikuar por frika është. Pusi ka nxjerre gjitha ato tuba. Nuk pati njerëz pastaj na shtir një djalë. Kur shpërthyen tubat nuk kishte njerëz pasi u larguam se kishim frikë se po te merrte flakë ne rrezikoheshim. Kishte shumë gaz.”, u shpreh e frikësuar një grua.

“Shpërtheu pusi gaz, nxori në ajër tubat. Kishte njerëz nga larg. Priten sa dolën tubat dhe tani do e hermetizojnë”, u shpreh një tjetër.

“ Sot e bëri ky pus, të njëjtën gjë mund ta bëjë dhe një pus tjetër. Na rrezikojnë, pasi banesat janë pranë”, denoncoi faktin një tjetër banor i zonës. 

DILAVER LACI: ZJARRFIKËSET NË VENDNGJARJE, BANORËT DUHEN EVAKUAR
I ftuar në rubrikën “Opinion”, në TvNews24 për një bisedë me gazetarët Ola Bruko për situatën e zjarreve në vend, shefi i shërbimit të zjarrfikëses Dilaver Laçi deklaroi se edhe forcat zjarrfikëse janë drejtuar vendngjarjes, teksa apeloi se banorët duhet të largohet nga zonat naftë nxjerrëse, pasi përbëjnë rrezik në cdo moment. 

“Është nisur një zjarrfikës nga Fieri përveç një zjarrfikëse nga Ballshi. Terreni i vështirë për ndërhyrje. Nuk mund të afrohen mjetet zjarrfikëse përveçse të ndihmojnë në evakuimin e banorëve”, u shpreh Laçi pasi komunikoi direkt me shërbimin zjarrfikës. 

(e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: Fier, shpërthim në një pus nafte, banorët e banesave përreth në panik

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›