E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fieri ndez atmosferën e 28 Nëntorit, spektakël emocionues në nderim të Ismail Qemalit

Festimet për Ditën e Flamurit kanë nisur më herët edhe në qytetin e Fierit, duke sjellë një atmosferë të zjarrtë patriotike dhe kulturore për qytetarët. Sheshi qendror i qytetit u shndërrua në një skenë gjigante ku ngjyrat kuqezi dhe motivet tradicionale dominuan mbrëmjen.

Nën titullin domethënës “Shqipëri o Nëna ime”, spektakli bëri bashkë në një performancë të jashtëzakonshme Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore dhe Ansamblin vendas “Myzeqeja”. Të dy trupat artistike dhuruan emocione të forta për publikun e shumtë, duke sjellë përmes valles dhe këngës jehonën e historisë dhe traditës shqiptare.

Festa në Fier nuk është thjesht një celebrim kalendarik, por një akt mirënjohjeje dhe kujtese historike. Ky qytet ka zgjedhur t’i nisë festimet më herët për të evokuar rrugëtimin historik të atit të pavarësisë, Ismail Qemalit.

Ishte pikërisht treva e Myzeqesë ajo që shërbeu si korridor i sigurt për Ismail Qemalin dhe delegatët që e shoqëronin nga të gjitha trevat shqiptare në nëntorin e vitit 1912. Ky rrugëtim, që kulmoi me ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor, nderohet çdo vit nga fierakët, të cilët përmes artit dhe kulturës mbajnë gjallë momentet vendimtare të shtetformimit shqiptar.

Tingujt e muzikës popullore dhe vallet e Myzeqesë u gërshetuan me repertorin e pasur kombëtar, duke krijuar një atmosferë festive që paralajmëron ditën e madhe të Pavarësisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›