E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fierza drejt shpërthimit, hap portat

Ard Kola

Kaskada e Drinit

Shirat fryjnë HEC-in 1 m mbi normën. KESH: Shkarkimet, të nevojshme. Prodhimi, maksimal

Përgjatë 2012-s, rezulton se prurjet mesatare në HEC-n Fierzë ishin 168 m kub/sekondë

Për të siguruar sa më tepër HEC-in e Fierzës, KESH thotë se është e detyruar të derdhë ujë

Prodhimi - KESH njofton se është duke prodhuar në nivele të kënaqshme, afro 24 milionë kilovat/orë energji elektrike, ku afro 9 milionë kilovat eksportohen, pra po shiten

ARD KOLA

koman hap portatPrej më shumë se 24 orëve, Korporata Elektroenergjetike (KESH) është duke shkarkuar ujin nga tri hidrocentralet, veprim ky i detyruar për shkak të tejmbushjes nga reshjet e shumta të ditëve të fundit. KESH-i njofton se ka hapur portat prej orës 17:00 të ditës së shtunë, ndërsa prurjet vijnë furishëm drejt HEC-it të Fierzës, duke sjellë akumulime uji për dy HEC-et e tjera në vijim. Me shqetësim ndiqet situata në liqenin e Fierzës, HEC-i i të cilës ka mbledhur rezerva uji në kuotën 296.41 metra mbi nivelin e detit. Ky nivel konsiderohet alarmant, pasi Fierza ndodhet afro 1 metër mbi nivelin e pranuar. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe po respektohet me përpikëri protokolli i shkarkimeve. Derdhjet e ujit, me hapjen e portave, janë të detyrueshme në kushtet ku ndodhet Fierza, sqaron korporata për gazetën.

Të dhënat e fundit tregojnë se Fierza, së bashku me dy HEC-et e tjera, Koman dhe Vau i Dejës, janë duke prodhuar energji elektrike në kapacitet maksimal. Rrjedhimisht, duke i shtuar edhe prurjet anësore, në total shkarkohen rreth 600 metër kub në sekondë. Konkretisht, Fierza po punon me të katër agregatet, duke prodhuar 2500 megavat, kurse prurjet drejt këtij liqeni janë 600 metër kub për sekondë, ndërsa shkarkimet janë 400 metër kub në sekondë. Hidrocentrali ka një kapacitet të instaluar prej 500 megavatesh (4 agregate me nga 125 megavat). Nga monitorimet e realizuara përgjatë 2012-s, rezulton se prurjet mesatare në këtë HEC kanë qenë 168 metër kub për sekondë, ndërsa muajt prill dhe dhjetor rezultojnë periudhat me prurjet më të mëdha. Në vitin 2012, HEC-i i Fierzës arriti të prodhonte rreth 1.2 miliardë kilovat energji elektrike, gati 25 për qind e totalit.

PrintMë tej, në HEC-in e Komanit, niveli i të cilit është rreth 173.58 metra mbi nivelin e detit, prurjet arrijnë në rreth 1650 metër kub për sekondë (ku afro 335 metra kub janë prurje anësore), kurse shkarkimet janë 500 metër kub për sekondë.

Në përfundim, Vau i Dejës akumulon prurjet e ujit që vijnë nga dy HEC-et e mësipërme dhe për shkak të nivelit ku ndodhet, është duke shkarkuar 600 metër kub në sekondë. Edhe ky HEC është duke punuar me të pesta agregatet që ka në dispozicion.

Hapja e portave është një veprim që KESH e mbështet me ligj, në kushtet emergjente ku ndodhen hidrocentralet. Për të shmangur katastrofën e mundshme dhe për të siguruar sa më tepër HEC-in e Fierzës, korporata thotë se është e detyruar të derdhë ujë.

Gjithsesi, situata e krijuar po i jep më shumë mundësi KESH-it të përmirësojë bilancin e saj energjetik, e cila është dërrmuar gjatë 2012-s, pikërisht për shkak të thatësirave. KESH-i thotë se është duke prodhuar në nivele të kënaqshme, afro 24 milionë kilovat orë energji elektrike, ku afro 9 milionë kilovat po eksportohen, pra po shiten. Megjithatë, për të dalë në përfundime se sa është duke përfituar KESH-i nga gjendja e krijuar, duhen pritur vlerësimet e dëmeve nga përmbytjet. Theksojmë se në vitin 2011, KESH-i pagoi si dëmshpërblim nga arka e saj rreth 5 milionë dollarë, ndaj familjeve të dëmtuara, me urdhër të qeverisë.

Të dhënat e publikuara nga Enti Rregullator për vitin e kaluar, tregojnë se, koha mesatare e shfrytëzimit të çdo agregati në hidrocentralet e kaskadës së Drinit gjatë vitit 2012 ka qenë mbi 45 për qind të orëve totale (8760 orë gjithsej në vitit). Natyrisht që agregatet janë vënë në punë në varësi të menaxhimit të rezervës ujore për të maksimizuar prodhimin, sqaron më tej ERE. Prodhimi mujor minimal gjatë vitit 2012, është realizuar në muajin mars me 224236 megavat/orë.

Hidrocentralet

Fierza

  • Kuota 296.41 m
  • Prodhimi: 255 MW (4 agregatet)
  • Prurje: 600 m³/sek
  • Shkarkime: 400 m³/sek

Koman

  • Kuota: 173.58 m
  • Prodhimi: 390 MW (4 agregatet)
  • Prurje: 1315/335 m³/sek
  • Shkarkim: 500 m³/sek

Vau i Dejës

  • Kuota: 74.43 m
  • Prodhimi: 230 ME (5 agregate)
  • Prurje: 1281/30 m3/sek
  • Shkarkime nga porta: 600 m3/sek

Fierza drejt shpërthimit, hap portat burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›