Fierza në 296.27 metra, fillojnë shkarkimet
Portat për shkarkime emergjence në hidrocentralin e Fierzës u hapën të enjten pas mesnate për të shkarkuar ujërat e tepërta, pasi prurjet në këtë basen arritën në 1400 metra kub në sekondë dhe niveli i liqenit u rrit në 296.27 metra. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, deklaroi dje në një konferencë për shtyp, se këshilli teknik i menaxhimit të hidrocentraleve vendosi të hapë portat, pasi niveli i liqenit u rrit me 50 centimetra brenda vetëm 24 orësh.
“Nivelet kanë pësuar një rritje të ndjeshme dje, për shkak se prurjet kanë shkuar 1400 m3/sek. Tani që flasim janë 1000 m3/sek. Liqeni i Fierzës është në nivelin e 296.27 m. Në momentin që ka qenë 296 m, sekretariati teknik e ka diskutuar çështjen dhe në orën 1 pas mesnate ka vendosur që të fillojnë shkarkimet, deri në normalizimin e situatës. Sipas rregullores, kur prurjet bien nën 700 m3/sek, atëherë shkarkimet ndalohen. Në rast se prurjet janë mbi 700 m3/sek, atëherë duhet të vazhdojnë shkarkimet. Aktualisht niveli i Fierzës është rritur me 60 cm gjatë 24 orëve të fundit”, deklaroi Prifti.
Situata duket se nuk është e mirë as në dy hidrocentralet e tjera. Niveli në Koman është 174 m dhe është rritur me 50 cm. Edhe atje prurjet kanë qenë pothuajse mbi 1000 m3/sek. Në Vaun e Dejës niveli është rreth 75 m, kur kufiri maksimal është 76 m. Për momentin vendimi i sekretariatit teknik dhe komisionit të posaçëm është që nga liqeni i Fierzës të shkarkohen 500 m3/sek.
Gjatë ditës së djeshme, shkarkimet në Koman u ndaluan për një orë, me qëllim që të lejonte lundrimin e tragetit të linjës.
Situata deri tani nuk ka sjellë probleme me nivelin e Drinit e Bunës dhe përmbytjen e zonës së Nënshkodrës, për shkak se shkarkimet anësore në Vaun e Dejës gjatë ditës së djeshme u ruajtën në nivelin 700 metra kub për sekondë, ndërsa lumi Buna është në gjendje të mbajë prurje deri në nivelin 1500 metra kub për sekondë para se të dalë nga shtrati.
“Nuk është situatë problematike për sa u përket përmbytjeve. Nga informacioni që kemi prej terrenit nuk ka asnjë rrezik që të ketë sërish përmbytje në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës. Ne jemi duke ndjekur situatën në vazhdimësi. Në këtë nivel shkarkimesh, kur nuk vazhdojnë shirat dhe nuk ka prurje shumë të mëdha nga lumenjtë e tjerë veç Drinit, nuk mendoj se ka ndonjë predispozitë për të pasur përmbytje”, deklaroi Prifti.
KESH “fërkon” duartShirat e ditëve të fundit kanë shtuar edhe më shumë prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri, ndërkohë që konsumi kombëtar është ulur, për shkak të motit të ngrohtë. Shqipëria po prodhon aktualisht maksimumin e vet teknik prej 27 milionë kWh, ndërsa konsumi kombëtar është rreth 19 milionë kilovatorë. KESH-i rriti dje eksportin deri në 15 milionë kWh, ndërsa teprica mes konsumit dhe prodhimit ishte 7.7 milionë. Pjesa tjetër eksportohet, për shkak se OSSH-ja vijon të importojë një pjesë të energjisë sipas axhendës së vet të paracaktuar dhe kontratave të nënshkruara më herët. Prifti nuk dha një shifër të saktë se sa është çmimi me të cilin energjia po eksportohet, por sqaroi se KESH-it i është dhënë dorë e lirë të përdorë ankande ditore dhe të marrë për referencë çmimin e energjisë në bursën e Athinës.
“Në legjislacion ne i kemi lënë KESH-it të drejtën për të bërë ankande ditore, ankande të menjëhershme. KESH-i më njofton që gjatë ditës së djeshme dhe të sotme është duke ndjekur procedurat për të rritur sasinë e energjisë që do të eksportohet dhe që sot do të fillojë eksportimi me 15 milionë kWh orë. çmimi i energjisë është çmimi i bazuar mbi bursën greke. Në çdo fund muaji bursa greke deklaron nivelet e çmimeve. Ato çmime fiksohen në kontratat tona dhe mbi bazën e tyre bëhet shitja e energjisë nga KESH-i”, tha Prifti.
Eksporti, më i lirë se importiMegjithëse Shqipëria po eksporton sasi të konsiderueshme energjie gjatë këtyre muajve, çmimi mesatar i eksportit ka qenë rreth 30 euro për MWh, ndërsa çmimi mesatar i importit këtë vit pritet të jetë rreth 50 euro për MWh. Diferenca e madhe në çmim mes importit dhe eksportit, vjen si pasojë e faktit se importet programohen paraprakisht dhe çmimet fiksohen muaj para se të vijë fizikisht energjia. Pavarësisht situatës shumë të mirë hidrike, edhe këtë vit Shqipëria ka gjasa se do të jetë vend deficitar në këtë produkt. Konsumi vjetor për vitin 2010 pritet të jetë mbi 7 miliardë kWh, ndërsa Shqipëria nuk ka prodhuar kurrë më shumë se 6 miliardë kWh.
Konsumatorët nuk përfitojnëKESH-i pati programuar se do të fitonte 57 milionë euro nga shitja e energjisë elektrike deri në muajin prill, shifër që pritet të shtohet nga shirat e kësaj jave. KESH-i pati të ardhura totale prej afërsisht 60 milionë eurosh vitin e kaluar. Sipas KESH-it, të ardhurat e tepërta do të përdoren për të shlyer një pafundësi me borxhe që korporata ka akumuluar gjatë tre viteve të fundit, kur u detyrua të importojë në total rreth 450 milionë euro energji. Nga ana tjetër, struktura e tregut të energjisë elektrike nuk jep shpresa që shirat e bollshëm të këtij viti të pasqyrohen në uljen e kostos së energjisë elektrike që paguajnë konsumatorët shqiptarë.
#