Fiken zjarret në fshatrat Andon Poçi dhe Hundëkuq në Gjirokastër

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ E vështirë ishte nata e mbrëmshme edhe për skuadrat e MZSH të Gjirokastrës që u përballën gjatë gjithë natës me zjarret ndërmjet fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq.
Pas 7 orësh luftë me zjarret në një terren të thyer e malor, me shumë profesionalizëm e qëndresë arritën t’i fikin dhe të ndalojnë përparimin e flakëve drejt fshatrave të banuar.
Ndërkohë që forcat e Policisë së Shtetit kanë shoqëruar ndërkohë persona të dyshuar, dhe pritet që të identifikohen shkaktarët që shkaktojnë të tilla krime.
Ministrja e Arsimit dhe njëherazi drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun Gjirokastër Mirela Kumbaro, përmes një mesazhi sot në rrjetet sociale, u bëri thirrje të gjithë kryepleqve, administratorëve por edhe të gjithë banorëve që të jenë vigjilentë e të komunikojnë për rrezikun e madh që mbart çdo gjest pakujdesie e aq me keq zjarrëvënie të qëllimshme, duke e cilësuar zjarrvënien “krim”.