E Diel, 1 Nëntor 2026

Filharmonia e Kosovës me sukses vazhdon turneun në Japoni

Në kuadër të turneut dyjavor në Japoni, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në qytetin Okaya, ka mbajtur koncertin e parë në radhën e 4 koncerteve të parapara të këtij turneu. Në sallën grandioze, për të cilën ishin shitur të gjitha biletat disa ditë më parë (sallë prej 1400 vende), Orkestra e Kosovës e përforcuar edhe nga disa instrumentistë japonezë, nën drejtimin e dirigjentit permanent të Filharmonisë, maestros Toshio Yanagisawa, ka prezantuar tri vepra.

Anëtarët e Orkestrës së Kosovës në pjesën e parë kanë realizuar dy vepra të autorëve tanë, të Baki Jasharit (Lottapace) dhe Valton Beqirit (In the Spirit of Tradition) dhe në pjesën e dytë si vepër qendrore e programit kanë pasur ‘Requiemi’ i Moxartit.

Veprat e Jasharit dhe Beqirit, janë mirëpritur me simpati dhe me respekt nga auditori kurioz.

“Ishin këto realizime të këtyre veprave të shkruara si porosi e dirigjentit Toshio Yanagisawa, pikërisht për këtë rast. Që të dyja këto vepra mbështetjen e kanë në folklorin shqiptar, i cili në momente ishte tepër i theksuar, por ishte bërë qëllimisht eksplicit, për të vetmen arsye që të transmetojë te publiku japonezë tingullin karakteristik të folklorit tonë”.

Derisa te vepra e Jasharit trajtohej mesazhi i luftës dhe paqes në një formë dramatike, në veprën e Beqirit vihet në pah ritmika e pasur e folklorit tonë, që të dyja të shkruara për orkestër harkor dhe timpan (solist Patris Berisha).

Bëhet e ditur se në realizimin e Rekuiemit madhështor të Moxartit, morën pjesë solistët Chiho Oiëa- soprano, Setsuko Takemoto-alt, Mitsuhiko Ono-tenor dhe Toshiya Inagaki-bas, solistë ndërkombëtarisht të njohur japonezë dhe Kori i qytetit të Okayas, i cili numëronte rreth 200 anëtarë.

Ndërkaq koncerti është përcjell me një broshurë të pasur, ku në ballë të saj ishin fjalët e ministrit të Jashtëm japonez dhe ambasadorit të Kosovës në Japoni, Sami Ukelli.

Gjatë ekzekutimit të këtyre veprave, është folur gjatë për Kosovën (biseda zhvillohej në mes prezantueses, që ishte një emër i njohur i kinematografisë japoneze dhe dirigjentit Yanagisawa), por flitej në mënyrë emocionuese edhe për luftën e fundit në Kosovë, duke u evokuar madje disa ngjarje konkrete tragjike të saj.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, turneun e vazhdon edhe në dy qytete më të vogla (me solistë tjerë dhe kor tjetër), pastaj me koncertin e fundit në Tokio. Koncertet mbahen në salla jashtëzakonisht të mëdha (deri në 2000 vende) me akustikë të mrekullueshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›