E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmat shqiptarë në tunelet e diktaturës

Janë 6 tunele në periferi të Tiranës që do të shqyrtohen si vende të mundshme për strehimin e filmave shqiptarë. Specialisti amerikan i arkivave, Kenneth Weissman, do të vijë në Tiranë për të parë nga afër kushtet.

Fondi i Arkivit të Filmit mund të spostohet në një tunel të diktaturës. Ideja po shqyrtohet seriozisht nga arkivi, ndërkohë që po merren masat për të vlerësuar nga afër nëse ndonjë prej tuneleve që gjenden në periferi të Tiranës mund t’i përmbushte kushtet për t’u kthyer në një strehë të fondit filmik.

“The Albanian Cinema Project” (Projekti për kinemanë shqiptare), njofton se pikërisht për këtë qëllim, në muajin nëntor, do të vijë në Tiranë specialisti amerikan i arkivave, Kenneth Weissman, për të vlerësuar gjendjen e disa tuneleve në rrethinat e Tiranës. “ACP po punon që të gjejë një tunel me përmasa të mjaftueshme për të vendosur aty fondin filmik, për të mësuar më shumë mbi bunkerët e kohës së komunizmit në Shqipëri dhe se çfarë po bëjnë shqiptarët për t’i ripërdorur ata”, thuhet në faqen e kësaj nisme, themeluar nga kineastët Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, në të cilën janë bërë pjesë personalitetet të njohura të kinemasë botërore dhe specialistë arkivash, bën të ditur gazeta Shqip.

Frymëzuar nga format alternative që arkivistët kudo në botë janë duke kërkuar, Rexhina Longo, specialistja amerikane e arkivave që vizitoi Arkivin e Filmit në qershor të këtij viti, u vendos në kontakt me Kenneth Weissman, specialistin që arriti të shpëtojë arkivin e filmit amerikan, duke e vendosur në bunkerin e “The Packard Campus”. Weissman, i cili është shef i laboratorit të konservimit në Librarinë e Kongresit në Amerikë, ka strehuar në tunelet e nëndheshme një koleksion prej 6.3 milionë njësish audio-vizuale dhe materiale filmike.

“Duhet ta konsiderojmë fat që në Shqipëri do të vijë ai që e ka themeluar idenë e ripërdorimit të bunkerëve të Luftës së Ftohtë. Kenneth Weissman do të vijë të shohë nga afër nëse ndonjë nga 6 tunelet që gjenden në periferi të Tiranës kanë hapësirën dhe kushtet e përshtatshme. Gjatë takimit që ne, Regina Longo dhe përfaqësues të AQSH-së patëm me ministrin e Kulturës, Aldo Bumçi, kjo ide u mirëprit, sepse edhe ata vetë kishin nisur projekte për rivitalizimin e këtyre objekteve. Diskutimet kanë nisur mes Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mbrojtjes për mundësinë e përdorimit të ndonjë prej këtyre 6 tuneleve”, thekson kineastja Iris Elezi.

Kjo është e dyta nismë pas projektit për restaurimin e filmave shqiptarë. Puna konkrete ka nisur me restaurimin e filmit “Nëntori i dytë”, i cili do të shfaqet gjatë Festivalit Kombëtar të Filmit që do të mbahet më 6-8 nëntor në Tiranë, ndërkohë që po në nëntor në Shqipëri mbërrijnë dhjetëra arkivistë nga e gjithë bota në kuadër të seminarit “Kujtesa e Ballkanit”. Sipas Elezit, ky projekt nuk synon vetëm magazinimin e fondit filmik, por kthimin në një qendër shumëfunksionale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›