E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmohet Autopsia e Trebickës

20 orë filmime nga autopsia e të ndjerit, matje dhe ekspertiza në vendin e ngjarjes, procesverbale të këqyrjes së dhomës dhe dëshmitë, tashmë ndodhen në duart e amerikanëve, të cilët do të ndjekin vijimësinë e hetimeve

KORÇË - Dosja hetimore e deritanishme mbi vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka është marrë në dorë nga dy ekspertët e ambasadës amerikane në Tiranë, të cilët kanë monitoruar një pjesë të hetimeve. Më shumë se 20 orë filmime mbi autopsinë e të ndjerit janë pjesë e dosjes së përfaqësuesve të SHBA-ve, të cilët janë angazhuar me hetimin e vdekjes së Kosta Trebickës në fshatin Lekas të zonës së Voskopojës gjatë pasdites së të premtes. Lajmi është konfirmuar për gazetën nga burime pranë grupit hetimor, të cilat thanë se për afro 20 orë që ka zgjatur procesi i autopsisë, kanë qenë në punë disa kamera të instaluara brenda ambienteve të morgut. Duke iu referuar të njëjtave burime të sigurta, mësohet se kamerat kanë filmuar gjithçka, duke nisur nga hyrja në të e trupit të të ndjerit, ardhjen e ekspertëve të shumtë dhe prokurorëve të çështjes, por edhe të afërmve të familjes, si dhe të gjitha bisedat e kryera aty gjatë këtyre orëve. I gjithë materiali filmik prej më shumë se 20 orësh është marrë nga ekspertët amerikanë që kanë asistuar edhe në këqyrjen e dhomës së hotelit në Voskopojë, ku qëndroi për një natë biznesmeni Trebicka. Dy përfaqësuesit e ambasadës amerikane, të cilët kanë qëndruan për gati 24 orë në rajonin juglindor shqiptar, kanë asistuar në këqyrjen e vendit të ngjarjes në zonën e Lekasit, ku kanë bërë matjet përkatëse, duke fotografuar dhe fiksuar gjithçka që iu duhej për vijimësinë e hetimit. Por puna e tyre nuk është ndalur këtu, pasi dy ambasadorët e SHBA-ve i kanë kërkuar policisë shqiptare në Korçë dhe organit të akuzës një dosje me të gjithë dokumentet dhe provat e grumbulluara për këtë çështje, ndërsa më pas janë larguar nga ky qytet me një dosje voluminoze, e cila do t’i nënshtrohet një verifikimi të detajuar nga ekspertët amerikanë të kërkuar zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare. Duke iu referuar burimeve nga policia e Korçës, bëhet me dije se ekspertët amerikanë veç marrjes së dokumentacionit dhe regjistrimeve filmike të autopsisë, kanë zhvilluar takime me udhëheqës të grupit hetimor, ekspertët mjeko-ligjorë dhe ata autoteknikë, duke u informuar mbi të gjithë procesin hetimor që është kryer për vdekjen e dëshmitarit kyç në aferën e tregtisë së municioneve, Kosta Trebicka. Në këtë mënyrë, amerikanët kanë monitoruar këtë pjesë të procesit pas aksidentit tragjik, dhe më pas janë larguar nga qyteti i Korçës, ku pritet të rikthehen sërish për të marrë rezultatet e këqyrjes së automjetit të aksidentuar. Ndërkohë që burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se ekspertët e kërkuar për hetimin e kësaj çështjeje pritet të vijnë në Shqipëri së shpejti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›