Motra e Kosta Trebickës: Vëllai më vdiq aksidentalisht

TIRANË - “Vëllai im i ndjerë vdiq aksidentalisht”. Pasi prifti tha fjalët e tij në ceremoninë mortore të zhvilluar në Tufinë, fjalët e fundit në lidhje me Kosta Trebickën u thanë nga e motra e tij. Në një fjalim të mbajtur përpara të pranishmëve të shumtë, ajo e quajti vdekjen e të vëllai të saj si aksidentale, duke mënjanuar në këtë mënyrë të gjitha hipotezat dhe dyshimet për një vrasje të qëllimshme, që katër ditë më parë u bë të dukej si aksident. E nëse ditën e parë pas vdekjes në banesën e 50-vjeçarit shqiptaro-amerikan thuheshin si nën zë variantet që njeriu i tyre ishte vrarë e nuk kishte vdekur në aksident, motra e tij më e madhe ka bërë të ditur para njerëzve të shumtë dhe para mediave, se Trebicka vdiq nga një aksident tragjik.
Akrepat e orës shënonin 14:50 minuta, kur arkivoli me trupin e të ndjerit Kosta Trebicka ka dalë nga porta e shtëpisë së tij. Miqtë më të afërt të 50-vjeçarit, të afërm dhe familjarë kanë mbajtur arkivolin. Njerëzit e shumtë dhe radha e gjatë e makinave kanë shoqëruar për në varrezat e Tufinës biznesmenin shqiptaro-amerikan që gjeti vdekjen para katër ditësh në fshatin Lekas të Korçës. Familjarët, anëtarë të fisit, miq e politikanë të shumtë ishin pjesë e kortezhit mortor të Trebickës. Pasi kanë mbërritur në Tufinë, prifti ortodoks ka kryer ceremoninë e rastit. Trupi i Kosta Trebicka do të prehet pranë varrit të prindërve të tij, Jorgji dhe Pandora Trebicka. Rreth dhjetë kurora me lule të freskëta, të bardha, të kuqe e të verdha i janë vënë mbi varr, me mesazhe ngushëllimi nga njerëz të shumtë dhe nga kompani të ndryshme biznesi. Personat më të afërt qëndronin pranë arkivolit të të ndjerit. Gruaja e tij, e cila mbahej fort për krahësh nga motra e Kostës dhe e ëma, gjithashtu dhe mbesat dhe nipërit e tij, të cilët vetëm qanin, por dhe i jepnin kurajë njëri-tjetrit për të qenë më të fortë. “Bëhu e fortë. Duhet të bëhesh e fortë për Xhoin. Jeta vazhdon”. Me këto fjalë i drejtoheshin të afërmit gruas, e cila mbahej fort nga të tjerët që të mos rrëzohej nga dhembja.
Të pranishmit
Pjesëtarë të fisit, të afërm, familjarë, miq e politikanë të shumtë kanë qenë të pranishëm në funeralin e 50-vjeçarit. Të veshur me të zeza e me kurora me lule, i kanë bërë ngushëllimet të vesë së Trebickës e me lot në sy kanë hedhur tre grushte dhe sipër arkivolit.
Deklarata e motrës
“Kosta ishte një njeri i mirë. Ishte i sinqertë dhe i dashur me të gjithë. I donte dhe i respektonte të gjithë miqtë dhe të afërmit. Vdiq aksidentalisht në aksident me makinë, duke na lënë pas shumë dhembje”
Të afërmit
E ndërsa motra e Trebickës bëri publike se i vëllai vdiq gjatë një aksidenti, një ditë pas vdekjes, njerëz të afërt të 50-vjeçarit nuk ngurruan të shprehin dyshimet e tyre rreth kërcënimeve që viktima kishte marrë pas denoncimit publik të aferave korruptive të tregtisë së armëve pas tragjedisë së Gërdecit. Madje, në një intervistë dhënë gazetës, Edmond Shkëmbi, një i afërt i Trebickës, deklaroi se muajin e fundit kushëriri i tij kishte qenë shumë i qetë. Aq i qetë, sa lëvizte edhe pa truprojë dhe se dikush i kishte dhënë atij garanci që nuk do të prekej.
Vizitat e fundit të ngushëllimit
Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, dera e familjes Trebicka, në rrugën “Tre vëllezërit Kondi”, ishte hapur që herët për të pritur vizitat. Politikanë, njerëz e miq të shumtë, mes tyre edhe shumë miq amerikanë të biznesmenit korçar me pasaportë amerikane, u panë të hynin e të dilnin në shtëpi. Familjarët e Trebickës u ngushëlluan nga kreu i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Shpëtim Idrizi, kreu i LSI-së, Ilir Meta, Eduart Shalsi dhe Erion Veliaj kanë qëndruar për disa minuta me familjarët e Trebickës, të cilëve u kanë përcjellë ngushëllimet që bëhen në këto raste dhimbjesh. Kastriot Islami, kreu i PS-së së Tiranës, Sokol Bare dhe Bujar Nishani kanë qenë gjatë paradites së djeshme për ngushëllime në familjen e biznesmenit Kosta Trebicka.
Ngjarja
Biznesmeni shqiptaro-amerikan u gjet i vdekur para katër ditësh në fshatin Lekas të Korçës. Me rroba ushtarake dhe me një armë gjahu në makinë, Kosta Trebicka u gjet i vdekur rreth orës 15:30 në vendin e quajtur “Kullat e Gjergjevicës”, në rrugën automobilistike që lidh komunën e Lekasit me Voskopojën, në Korçë. Makina “Nissan” kabriolet me targa TR 8843 J dhe në ngjyrë të kuqe, ka dalë nga rruga dhe si pasojë mësohet të ketë gjetur vdekjen 50-vjeçari. Nga burimet u mësua se gjatë hetimeve paraprake, automjeti i hapur në anën e sipërme të tij ka bërë më tepër se tre rrotullime, pasi ka dalë nga rruga. Gjatë lëvizjes së pakontrolluar të makinës në zonën malore, trupi i biznesmenit 50-vjeçar ka dalë nga automjeti dhe ka përfunduar rreth 50 metra më tutje. Fuoristrada kishte pësuar dëmtime të shumta, thyerje të xhamit të përparmë të saj, shtypje në pjesën e sipërme, por pas rrotullimeve kishte mbetur në pozicionin e zakonshëm, me katër gomat në tokë. Drejtuesi i saj, Kosta Trebicka, është gjetur nga tre persona, dy punëtorë të mirëmbajtjes së rrugës dhe një banor i zonës, të cilët lajmëruan menjëherë kryetarin e komunës Lekas, Nexhip Bazellin, i cili nga ana e tij ka njoftuar policinë e Korçës. Kosta Trebicka kishte pësuar dëmtime të rënda në pjesën e pasme të kokës dhe në fytyrë, të cilat besohet se i kanë shkaktuar vdekjen. Viktima nuk kishte shenja dhune apo plumbash në trup. Identifikimi i tij u bë i mundur nga dokumentet e gjetura gjatë kontrollit që policia ushtroi në makinën e aksidentuar. Trupi i pajetë i biznesmenit i është nënshtruar ekspertizave të shumta mjeko-ligjore deri një natë përpara se të varrosej.