Filozofia e dhun
• Blendi KajsiuU bë kohë që vuajmë nga inflacioni, korrupsioni, dritat dhe së fundi edhe nga i ashtuquajturi krimi në familje. Them i ashtuquajturi, pasi krim në familje në thelb do të thotë dhunë ndaj femrës. Vendosja ...e këtij fenomeni në kuadrin e familjes thjesht zbeh dhe zbut përmasat e tij. Femra fiksohet në gjirin e familjes, pikërisht aty ku edhe dhunohet më shumë. Prandaj përpara sesa të flasim për krim në familje, duhet të flasim për dhunën ndaj femrës. Ose më mirë duhet të flasim për zgjidhjen që i duhet dhënë këtij fenomeni. Deri tani ilaçi kryesor që është propozuar në këtë drejtim ka qenë ashpërsimi i penalitetit. Pra, dënime më të shumta dhe më të ashpra. Pikërisht këtu dhuna ndaj femrës fillon të ngjasojë dhe shkrihet çuditshëm me inflacionin, korrupsionin apo një sërë krizash të tjera. Ngjasimi nuk është edhe aq te problemi sesa te zgjidhja. Sado të ndryshme, këto fenomene trajtohen me të njëjtin ilaç; penalitetin. Shqip: dhuna.Për të ulur korrupsionin kërkohen dënime më të ashpra për të korruptuarit. Për të ulur humbjet në rrjet kërkohet dënim më i ashpër i hajdutëve të energjisë. Ndërsa për të ulur inflacionin zbriti në terren policia që të arrestojë tregtarët që rrisin çmimet në festa. Një aksion i paparë ky në teoritë ekonomike, ku inflacioni ende nuk është trajtuar me polici. Mbase mbetet kontributi ynë në doktrinën ekonomike. Për të gjitha problemet kemi të njëjtën recetë me emrin “luftë”. Kemi luftë kundër korrupsionit, luftë kundër krimit në familje, luftë kundër vjedhjes së energjisë, luftë kundër inflacionit, luftë kundër varfërisë, e kështu me radhë. Dhe lufta bëhet për të eliminuar dhunën. Krimi në familje prodhon dhunë tek anëtarët e saj, inflacioni dhunon xhepat e qytetarëve, korrupsioni dhunon të drejtat e tyre, mungesa e energjisë dhunon nervat tona, ndërsa varfëria është dhunë e përgjithshme, madje nga disa konsiderohet nëna e të gjitha dhunimeve. Paradoksi qëndron në faktin se me gjithë këto beteja që ne bëjmë kundër dhunës, thjesht shtojmë nivelin e saj në përgjithësi. Lufta në vetvete është dhunë. Andaj nuk është aspak çudi që dhuna në shoqëri rritet proporcionalisht me nivelin e luftës ndaj saj. Më të dhunshme bëhen deklaratat e politikanëve ndaj dhunës, më të dhunshme bëhen aksionet e policisë ndaj dhunuesve, më të dhunshëm bëhen edhe vetë dhunuesit. E teksa dhuna në shoqërinë tonë veçse shtohet, zgjidhja e vetme që ofrohet e ka emrin “dajak”. Natyrisht nuk po themi se duhet eliminuar penaliteti. Ama, penaliteti “sade”, pa masa strukturore, është thjesht dhunë që i mbivendoset dhunës. Rasti më tipik në këtë drejtim është dhuna ndaj femrës. Reagimi imediat ndaj kësaj dhune ka qenë rishikimi i Kodit Penal për të ashpërsuar dënimin. Por problemi i femrës shqiptare nuk është thjesht se mbi të ushtrohet dhunë, por se ajo është e detyruar ta durojë këtë dhunë me kokën ulur. Për faktin e thjeshtë se shumica dërrmuese e femrave nuk kanë ku të shkojnë. Në shumë raste ato janë të detyruara të jetojnë në të njëjtën familje ku edhe dhunohen. Statistikat e tregojnë qartë se papunësia është më e lartë ndër femra, ndërkohë që strehimi është problem për shqiptarët në përgjithësi dhe për femrat në veçanti. Dhuna ndaj femrës është një fenomen strukturor, jo thjesht fizik. Në raport me mashkullin, në shoqërinë shqiptare femra ka më pak mundësi për të qenë një individ i pavarur. Dhuna fizike është thjesht pasojë dhe pasqyrim i këtij realiteti. Familja mbetet ende pothuajse vendi i vetëm për femrën, si për ta mbrojtur, ashtu edhe për ta rrahur atë. Prandaj para se të merremi me Kodin Penal duhet të merremi me krijimin e hapësirave të sigurta jetese dhe pune për gratë e dhunuara. Kjo është një kërkesë që vjen nga mjaft organizata në mbrojtje të gruas, por që pak dëgjohet në zhurmën e krijuar nga lufta kundër krimit në familje. Është një kërkesë e thjeshtë që nuk ka nevojë për fushata luftarake, por për zëra në buxhet. Ka nevojë për një debat publik që përcakton prioritetet e shoqërisë sonë jashtë parullave dhe klisheve të integrimit euroatlantik. Një debat që duhet të gërvish tabutë ekzistuese dhe të shtrojë për diskutim ndarjen e zërave konkretë në buxhet. P.sh., në kuadrin e integrimit në NATO lind pyetja; A duhet që shteti shqiptar të rrisë me 100 milionë dollarë në vit shpenzimet për ushtrinë (për të armatosur burrat tanë me armë, që më shumë sesa kundër armikut ka shans të shkrepen kundër grave) apo duhet t’i shpenzojë këto para për të krijuar strehim për femrat e dhunuara? Kjo është një pyetje e vështirë. Për më tepër e shtruar në mënyrë tendencioze nga autori që nuk është partizan i anëtarësimit në NATO. Gjithsesi është një pyetje që ka të bëjë me politika konkrete dhe jo me fushata dhune kundër dhunës. Serioziteti në eliminimin e dhunës ndaj femrave nuk tregohet as te numri i dënimeve dhe as tek emocionet e deklaratave në Kuvend, por te zërat konkretë në buxhet. Të tjerat janë ose thjesht llafe, ose thjesht dhunë.