E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serioz si Papa

• Edmond TupjaÇdo shqiptar, pavarësisht nga besimi i tij fetar, por me një minimum kulture do ta përdorte natyrshëm shprehjen “Të jesh, të tregohesh më katolik se Papa” për të karakterizuar dikë që e ndjek një doktrinë me dogmatizëm. Por asnjë shqiptar, qoftë ai i besimit katolik, nuk do t’i thoshte natyrshëm një shqiptari shumë serioz: “Ti po më dukesh serioz si Papa”. Dhe me të drejtë: titulli i shkrimit tim të sotëm është një përkthim gati fjalë për fjalë i shprehjes frënge “sérieux comme un pape”! Mirëpo, me të drejtë, dikush mund të propozojë që kjo shprehje të futet në fondin e frazeologjisë së gjuhës shqipe. Pse jo, në fund të fundit? Vetëm se, për të mos acaruar ndonjë pjesëtar shumë të ndjeshëm të bashkësisë katolike, unë do të isha i mendimit që në vend të fjalës “Papë” të përdorej ndonjë emër tjetër, i cili nuk shenjon gjithsesi autoritetin më të lartë të ndonjë feje tjetër. Aq më tepër që jemi në një periudhë të vitit kur ka edhe festa fetare që kremtohen rregullisht e seriozisht nga porcione të caktuara të popullatës shqiptare. Për këtë arsye do të propozoja që të thuhej “serioz si...” Si kush, në fakt? Në të vërtetë nuk më duket edhe aq e lehtë të gjesh një emër (emër ofiqari të lartë, detyrimisht) që të mos bëjë njerëz të pakënaqur. Për shembull, po të merrnim personalitete të larta të politikës, të shkencës apo të kulturës e të artit shqiptar, do të ngjallnim pakënaqësi apo mëri tek masa e militantëve të kësaj apo asaj partie, të kësaj apo asaj kategorie shkencëtarësh, artistësh etj., etj. Përfytyroni pak, të dashur lexues seriozë të rubrikës sime, sikur unë të guxoja ta përpunoja ndërgjegjen gjuhësore të bashkatdhetarëve të mi, në mënyrë që në gjuhën shqipe të mund të thuhej krejt natyrshëm “serioz si Presidenti”. Jam thuajse i bindur që, ndonëse të jesh serioz është një cilësi e lakmueshme, do të dilte dikush nga rrethi i ngushtë i presidentit që të më kritikonte duke thënë se profesor Tupja po e tepron vërtet kësaj radhe. Atëherë, do të isha i detyruar ta zëvendësoja fjalën “president” me atë “kryeministër”, duke thënë “serioz si Kryeministri”. Por edhe në këtë rast jam thuajse i sigurt që do të më qortonte, madje ashpër, ndonjë militant i partisë që drejton koalicionin e djathtë. Në këtë rrethanë të re do të më nevojitej të propozoja një zëvendësim të ri, duke përdorur fjalën “kryepartiak” për të thënë “serioz si Kryepartiaku”. I shkreti unë! Do të më vërsuleshin të gjitha partitë e spektrit politik shqiptar, sepse secila do ta ndiente veten të vënë në shënjestër nga propozimi im (Mos harroni se dikur Majakovski shkruante: “Ne themi Lenini dhe nënkuptojmë Partia”). Në këto kushte, do të nxitoja ta zëvendësoja fjalën “kryepartiak” me atë “kryeprokuror” për të thënë “serioz si Kryeprokurori”, duke menduar se tash e tutje askush nuk do të mund të më sulmonte: A ka njeri më serioz se një kryeprokuror? Mirëpo edhe këtu do të kisha gabuar, sepse tani nuk kemi më kryeprokuror, por kryeprokurore! Dhe me të më dëgjuar të them “serioz si Kryeprokurorja”, shumëkujt do t’i vinte keq që unë, dashur pa dashur, të lë shteg për nënkuptime, keqkuptime apo keqinterpretime, aq më tepër që jam autor i një fjalori erotik apo edhe i një vëllimi me tregime erotike! Pa folur pastaj për ndonjë dashakeqës që do të bënte çmos që kryeprokurorja, ende pa nisur mirë detyrën e saj sa fisnike aq edhe të vështirë, të më merrte me sy të keq! Kësisoj do të shtrëngohesha të kaloja te propozimi im i fundit: le të themi “serioz si Kryebashkiaku”. Por e ndiej që menjëherë do të më hidheshin në fyt anëtarët e çdo këshilli bashkiak të Republikës së Shqipërisë, sepse do t’u dukej sikur po tallem me shefin e tyre të dashur, pa harruar që ekziston një parti e cila kryepartiakun e ka edhe kryebashkiak!Në këto kushte e rrethana, kur nuk do të më lejohej pa probleme e kokëçarje të fusja në gjuhën shqipe, duke u frymëzuar seriozisht nga shprehja frënge “sérieux omme un pape”, shprehjen “serioz si...” për të karakterizuar dikë që është shumë serioz (pra, për ta lavdëruar atë në këtë drejtim, sidomos në një kohë ku atdheu juaj, i yni, pra, edhe i imi, ka nevojë për njerëz seriozë në krye të tij, në mënyrë që të mos bëhemi karagjo-seriozë në sy të botës), do të më mbetej t’u propozoja organeve drejtshkrimore kompetente në nivel panshqiptar që mbiemrit “serioz” t’i shtonin, pas rrokjes së parë, shkronjat “ks” duke ia erotizuar kësisoj ëmbël shqiptimin, çka do t’i pëlqente si Françesk Armadhit ashtu edhe Tarek Arvoglit, këtyre dy miqve të mi që më propozuan, duke u nisur nga frëngjishtja, të fusja në gjuhën shqipe pikërisht krahasimin “serioz si...”. Si kush, në fakt?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›