“Final 4” në RTSH, kalendari dhe kanalet ku transmetohen finalet e kampionatit

Dinamo fitoi trofeun e parë të sezonit në futbollin shqiptar, duke mposhtur në finalen e Kupës së Shqipërisë Egnatian pas penalltive. Tashmë ka mbetur për tu shpallur ekipi kampion i vendit me 4 skuadrat që u renditën në 4 vendet e para gjatë sezonit të rregullt të kampionatit, që do të luajnë finalet e Final 4 mes tyre.
Shorti ka dhuruar përballje interesante. Vllaznia do të ndeshet me Dinamon të dielën e 4 majit në orën 20:00 në “Arenën Kombëtare”, një sfidë që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH Sport.
Një ditë më pas, të hënën e 5 majit, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin stadium Egnatia do të përballet me Partizanin. Edhe kjo sfidë do të transmetohet drejtpërdrejt për shikuesit në RTSH Sport në orën 20:00.
Kujtojmë se sipas rregullores së aktivitetit, Egnatia dhe Vllaznia, që mbyllën sezonin e rregullt respektivisht në vendin e parë dhe të dytë, janë më të favorizuara në këtë përballje, pasi mund të kualifikohen në finalen e madhe edhe në rast se ndeshja përfundon në barazim.
Të gjitha ndeshjet e fazës Final 4 do të transmetohen drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.