Finalet e “Euro 2024″, Hysaj: Kombëtarja të fokusohet vetëm në fushën e lojës

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, doli mesditën e kësaj të hëne në një konferencë për mediat nga kampi bazë i kuqezinjve në Kaiserau në Kamen.
Futbollisti kuqezi iu përgjigj interesit të gazetarëve duke komentuar edhe nisjen e përgatitjeve nga kampi bazë i kuqezinjve në SportCentrum Kaiserau për sfidën e parë ndaj Italisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.
Hysaj foli edhe për pritshmëritë e skuadrës në këtë Europian dhe tha se shanset reale janë edhe për Shqipërinë, ndërsa shtoi se Kombëtarja duhet të fokusohet vetëm në fushën e lojës.
“Kemi punuar shumë fizikisht dhe nuk kemi qenë në 100% tonë në këto dy ndeshje miqësore. Duhej kështu sepse duhej që të vendosnim pak peshë dhe forcë në këmbë përpara se të fillonim të përgatisnim ndeshjen me Italinë dhe të tjerat me radhë. Miqësoret shkuan mirë sepse treguam që jemi në formë të mirë, jemi mirë taktikisht në fushe dhe po stërvitemi qe të jemi më gati për ndeshjet e radhës”, tha ia duke folur për grumbullimin e Kombëtares, teksa shtoi se, “theksi nuk është vendosur vetëm në një pikë. Po stërvitet i gjithë grupi që të jemi sa më kompakt bashkë, që të mos lemë hapësira në fushë për kundërshtarët dhe të mos jemi larg me njëri-tjetrit”.
Sa i takon ndeshjeve në Kampionatin Europian, Hysaj tha se, “janë tre ndeshje shumë të forta, por edhe shumë të bukura. Duhet ta gëzojmë këtë Europian, nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Dikush mund të mos thirret pas Europianit, por ndodh në futboll. Të kemi besim te vetja, mund të jemi një nga surprizat e Europianit. Jemi të gjithë të qetë, jemi të sigurt në vlerat tona. Gjatë kualifikueseve askush nuk e priste ecurinë tonë, por treguam që mund të bëjmë gjëra të bukura dhe mund të jemi surpriza e këtij Europiani. Jemi të qetë, të sigurtë në vlerat tona, e dimë që kemi kundershtarë të vështirë, por siç thuhet në futboll, një top është dhe mund të ndodhë gjithçka”.
Për ndeshjet miqësore të Italisë, Hysaj u shpreh se, “i kam parë dy ndeshjet miqësore që ka luajtur Italia. Duket nga jashtë sikur është një skuadër në vështirësi dhe po i mungon goli. Por nuk është ashtu siç duket. E njoh Italinë, e kemi parë edhe në Kampionatet e kaluara Europiane, të gjithë thonin që nuk arrin askund, por në fund fitoi Europianin. Ne duhet ta dimë që Italia është një skaudër e fortë, ka individë të fortë. Unë kam luajtur kundër të gjithëve gati, disa i kam edhe në ekip. E di kualitetin që kanë lojtarët. Duhet ta marrim seriozisht sepse nuk është ashtu siç duket”.
Hysaj më tej nënvizoi se “ndeshja Italinë është një pikë kyçe për të kaluar grupin, ashtu siç shprehen mediat italiane. Duhet të flasim në fushë kundër Italisë, jo me fjalë dhe të tregojmë që jemi gati për çdo ndeshje. I duam edhe ne pikët. Kemi ardhur këtu për t’i marrë”.
I pyetur nëse do të jetë e kënaqur Shqipëria edhe me një barazim ndaj Italisë, Hysaj tha se, “normal, rëndësi ka të mos humbim, edhe pika është e mirë. Më mirë një sesa asnjë. Portugalia me tre barazimi kaloi grupin në vitin 2016-të. Duhet të kesh gjithmonë besim, mjafton të mos humbasësh”.
Për stërvitjen e parë në Kaiserau, ai u shpreh se, “besoj që kemi bërë një ndërrim në mendje. Më parë ishim më të relaksuar, tani po afron ndeshja, jemi më të përqendruar në fushë dhe mundohemi t’i bëjmë gjërat më mirë në fushë. Tani është koha e Europianit”.
Sa i përket krahasimit të “ekipit 2016“ me “ekipin 2024”, Hysaj tha se, “nuk i ndaj dot, kam kaluar shumë momente të bukura në 2016, me atë grup, me ata lojtarë, me të gjithë kualitetin që kishim në atë kohë. Për pak desh u kualifikuam, desh kaluam grupin por nuk ndodhi. Edhe me këtë grup jemi si një familje, unë po gjendem shumë mirë. Të gjithë çunat e rinj janë përshtatur shumë mirë me ne, siç po e shikoni edhe në ndeshje. Kuptohemi shumë mirë bashkë, kemi marrëdhënie në fushë dhe jashtë saj. Jemi një grup fantastik, jemi të gjithë bashkë, me një qëllim. Jemi një familje si në 2016, Shqipëria vështirë se ndryshon”.
Për pritjen e kampionatit Europian, Hysaj theksoi se, “ka qenë një pritje shumë e mirë, por nga shqiptarët e prisnim sepse e duan shumë Kombëtaren dhe lojtarët. E pamë në 2016-ën që ishte i gjithë stadiumi kuqezi. Mendoj që do jetë kështu edhe këtë Europian. Edhe në ndeshjen ndaj Italisë presim të njëjtën gjë. Ndihemi mirë, i dimë cilësitë tona dhe të Italisë. Duhet të jemi të qetë, të mos bëjmë gabime në fushë sepse Italia është ekip që mund t’i shfrytëzojë gabimet”.
Sa i përket pikës së dobët të Italisë, mbrojtësi kuqezi tha se, “të gjithë skuadrat kanë pika të dobëta. Do përpiqemi të gjejmë dobësi tek Italia, do na ndihmojë edhe trajneri. Italisë i mungon një bomber. Immobile është kampion, prisja të luaja përballë tij, më vjen keq që nuk është, por sezoni i fundit nuk ka qenë shumë pozitiv për të”.
I pyetur se, çfarë ka ndryshuar nga Hysaj i vitit 2016-të, ai tha se, “tani jam një Hysaj me më shumë eksperiencë, me shumë gjëra në kokë. Nuk kemi ardhur për të kaluar kohën këtu. Nuk kënaqem me pak bukë, dua bukën e madhe. Të mos kemi pengje në fund. Në 2016 isha i ri, isha shumë i kënaqur, tani dua të arrij më shumë. Shpresoj që të gjithë të kemi urinë e duhur”.
Sa i takon pritshmërive në këtë kampionat Europian, Hysaj u shpreh se, “arritje do të jetë që gjithë Shqipëria të na duartrokasë pas ndeshjeve. Të jemi krenarë, si në humbje dhe në fitore. Të kthehemi në shtëpi me kokën lart”.