Finalizohet operacioni “Impact” në Sarandë, 31-vjeçari kapet me armë zjarri në makinë

Policia e Sarandës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Impact”, duke goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Si rezultat i këtij operacioni, një 31-vjeçar është kapur në flagrancë dhe vënë në pranga.
Në kuadër të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacione operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë ndërhynë për të parandaluar një rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë. Kontrolli i automjetit të tij, tip “Range Rover”, në Ksamil, zbuloi një armë zjarri pistoletë tip “Beretta” me një krehër me fishekë, e fshehur në çantën e dorës së tij.
Arma, municioni dhe automjeti i 31-vjeçarit u sekuestruan si provë materiale. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme ligjore.
/rtsh.al/