E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti Begaj nderon kapitenin Arben Anamali, heroin e Shkodrës që sakrifikoi jetën për të shpëtuar dy turistë duke u mbytur

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur nderim të përjetshëm për Arben Anamalin, kapitenin 51-vjeçar nga Shkodra, i cili humbi jetën në një akt heroik duke shpëtuar dy turistë nga mbytja. Presidenti e cilësoi Anamalin si një “model shoqëror” dhe “shpirt heroik”.

“Jam pranë familjarëve të tij në këto momente të vështira dhimbjeje,” shkroi Presidenti Begaj në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale.

Detajet e ngjarjes

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njoftoi se informacioni për ngjarjen u mor rreth orës 16:32. kapiteni i anijes për qëllime turistike dyshohet se gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, është mbytur. Fatmirësisht, turistët shpëtuan dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje dhe grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave. Kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit Anamali vazhdojnë intensivisht.

Homazhe nga Bashkia e Shkodrës

Bashkia e Shkodrës ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjen Anamali përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar sakrificën heroike të kapitenit.

“Bashkia Shkodër humbi një nga njerëzit e saj më të përkushtuar, kapitenin e anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës. Një akt humanizmi, por fatkeqësisht me një fund të hidhur,” theksohet në njoftimin e Bashkisë.

Mesazhi vijon duke vlerësuar kontributin e tij: “Arbeni ishte gjithmonë në shërbim të vizitorëve dhe turistëve, duke dhënë kontributin e tij me pasion dhe përkushtim deri në momentin e fundit të jetës.”

Ky gjest i Anamalit, i cili sakrifikoi veten për të shpëtuar jetët e të tjerëve, ka prekur thellë opinionin publik dhe është vlerësuar si një shembull i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe guximit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›