Finalja e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, RTSH partner mediatik

Edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar shënon sonte mbylljen e tij përmes një mbrëmjeje gala, ku do të mbahet edhe ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve.
Pas 14 vitesh mungesë, festivali ul sot siparin në Tiranë, duke u rikthyer si një ngjarje madhore kulturore, me Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) si partner kryesor mediatik.
Nga data 3 deri më 12 shtator, kryeqyteti u kthye në qendrën e kinematografisë shqiptare, ku rreth 220 filma të prodhuar nga viti 2012 e deri më sot u shfaqën në katër hapësira të dedikuara: Universitetin e Arteve, Kinemanë “Agimi”, Piramidën e Tiranës dhe “Film Zone” në sheshin “Nënë Tereza”.
Në këtë edicion, krijuesit u vlerësuan përmes tre sistemeve: Jurisë Zyrtare, Akademisë së Filmit dhe votës së publikut.
Çdo regjisor konkurroi me një film të vetëm, ndërsa Akademia dhe publiku patën mundësinë të vlerësonin të gjitha veprat e paraqitura.
Gazetarja e RTSH, Elda Lamja , raporton se atmosfera e festivalit është mbresëlënëse, me Tiranën që për nëntë ditë u kthye në kryefjalën e artit dhe prodhimeve kinematografike shqiptare.
Ky edicion përkoi edhe me zhvillimin paralel të Festivalit të Venecias, duke sjellë një atmosferë të veçantë në kryeqytet.
Festivali rikthehet pas 14 vitesh mungesë, pasi edicioni i fundit u zhvillua në vitin 2012, kur çmimi i parë iu dha regjisorit Gjergj Xhuvani me filmin “Lindje Perëndim Lindje”. Ky rikthim risjell në vëmendje krijimtarinë e kinematografisë shqiptare dhe e kthen artin në kryefjalën e ditëve të fundit.
Publiku e ka pritur me interes këtë festival, duke ndjekur shfaqjet në hapësirat e dedikuara për prodhimet kinematografike.
Mbrëmja gala do të mbledhë miq, artistë, kineastë, aktorë, regjisorë e skenaristë, për të ndjekur ceremoninë e ndarjes së çmimeve të këtij edicioni.
Ilir Butka: Transmetimi maratonë i 14 viteve film ishte një akt i rëndësishëm për kinematografinë shqiptare
“Ju falënderoj për gjithçka që keni bërë për transmetimin maratonë në këtyre dhjetë ditëve për kinematografinë shqiptare. Nuk ishte një akt i lehtë për t’u realizuar, sepse ishte një akt me 14 vite filma brenda që duhej transmetuar. Ishte e mbushur me prodhime, me shqetësime, me regjisorë, me aktorë, me producentë të cilët u munduan t’i jepnin formën e tyre kinematografisë sonë të këtyre 14 viteve. Fakti që u krye, besoj se është një kontribut i mirë për të startuar tashmë me një mendësi të re për një festival i cili duhet të jetë shumë i shpeshtë, vit për vit ose të paktën një herë në dy vjet, dhe të krijojë ato ura lidhëse që ne filluam t’i ndërtojmë gjatë këtij edicioni me publikun. Me sa pamë gjatë këtyre ditëve, publiku u tregua shumë i interesuar, në gjithë oraret e pasdites dhe edhe në orët e vona, ku sallat ishin plot me njerëz. Në katër hapësira të dedikuara për shfaqjen e filmave, përfshirë edhe Black Box dhe kinemanë “Agimi”, interesi ishte i tillë që na bën të shpresojmë se kjo urë komunikimi u rivendos. Ky është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e festivalit dhe për kinematografinë shqiptare.”
Luli Bitri: Ky festival ishte gjëja më e mirë për komunitetin tonë, një festë e të gjithëve
“Në fakt jam pjesëmarrëse si aktore në katër filma, si regjisore në dy dhe si skenariste gjithashtu. Ky festival ishte gjëja më e mirë që mund t’i ndodhte komunitetit tonë. Pra, që ne të takoheshim, që të përballnim punët tona me njëri-tjetrin, të kishim kënaqësinë të ndanim qoftë gjërat e bukura, qoftë edhe ato të vështirat që kemi hasur gjatë rrugëtimit tonë në filmbërje. Unë jam me katër filma. Dikush mund të thoshte se janë shumë, por në fakt janë 14 vite dhe nuk janë aspak shumë. Do të kisha dashur të isha edhe më prezente. Kështu që nuk kam gojë të flas, sepse ka shumë të tjerë që duhet të ishin këtu në këtë festë që është e të gjithëve.
Jonid Jorgji: Mbi 20 mijë shikues në sallat tona, festivali duhet të bëhet i përvitshëm dhe rajonal
“Ky festival na ka gëzuar dhe na ka bërë të mendojmë se kemi bërë gjënë e duhur, jemi në rrugën e mbarë dhe ky event duhet të përsëritet vit pas viti. Është numri i publikut që ka qenë në këto ditë në sallat tona, mbi 20.000 shikues, audiencë që ka ndjekur filmat shqiptarë. Kuptojmë që publikut shqiptar realisht i mungonte një event i tillë. Publiku shqiptar ka dashur të shohë filmat shqiptarë. Domethënë, filmat shqiptarë janë të preferuar për publikun tonë dhe ne mendojmë se ky festival kaq i rëndësishëm duhet të jetë një festival i përvitshëm. Vit pas viti ky festival duhet të jetë edhe më i gjerë, i bashkuar me filmat shqip nga Kosova, nga Mali i Zi, nga Maqedonia e Veriut. Pra, një hartë gjeografike më e gjerë se sa vetëm brenda territorit shqiptar.”
Artur Gorishti: Festivali është një ballafaqim me veten dhe publikun, gjëja e duhur në momentin e duhur
“Festivali është një ballafaqim me veten dhe publikun, gjëja e duhur në momentin e duhur. Ky është mikrofoni. Është gjëja e duhur, në momentin e duhur. Sigurisht, boshllëku nuk bëri aq sa të thuhet se ka sjellë dëm të madh, përderisa është prodhuar, sepse prodhimi nuk varet nga festivali. Filma janë bërë plot, janë bërë filma të mirë, por festivali na fut në një rrugë tjetër, në një rrugë ballafaqimi që e kemi thënë disa herë: me veten, me publikun, ndërmjet njëri-tjetrit. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne si krijues, si regjisorë, si aktorë. E vështirë është t’i rezistojë të gjithë ndryshimit të kohës artisti në vetvete. Si ka kaluar ai…”
/rtsh.al/