Finalja e Kupës do luhet në Durrës
FSHF ka vendosur që ta zhvillojë ndeshjen Tirana-Dinamo, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, në stadiumin “Niko Dovana”
Finlja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet këtë dielë. Federata Shqiptare e Futbollit e ka ndarë mendjen që të mos e spostojnë më asnjë ditë ngjarjen e dytë më të madhe futbollistike në vend pas kampionatit. Në disa raste shefi i garave në FSHF, Ilir Shulku, ka kontaktuar me Muhamet Rrumbullakun, Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por ky i fundit ka mohuar kategorikisht që të blindojë stadiumin “Qemal Stafa” me policë ditën e diel. Problemi qëndron në faktin se zyrat e KQZ-së janë vetëm pak metra larg impiantit tonë kombëtar të futbollit dhe forcat e rendit u frikësohen turmave të tifozëve që mund të shndërroheshin në kërcënim për Komisionin Qëndror Zgjedhor, që është shndërruar prej disa ditësh në object sulmi nga militantë të Partisë Socialiste. Në këto rrethana, krerët e rendit nuk e kanë parë të arsyeshme që të garantojnë rendin në stadiumin “Qemal Stafa”, por janë shprehur të gatshëm që diçka të tillë ta bëjnë në stadiumin tjetër të kryeqytetit, “Selman Stërmasi”. Por, e vërteta është se si federata, ashtu edhe Tirana e Dinamo, nuk kanë qenë shumë entuziastë për këtë ide. Parë këto rrethata, FSHF ka vendosur ta spostojë ndeshjen në Durrës, për ta zhvilluar në “Niko Dovana”, që ndër të tjera është i pajisur dhe me system ndriçimi. “Do të luhet në Durrës. Mungojnë edhe pak detaje, por me 99% mund të them se kjo ndeshje do të luhet në “Niko Dovana”, është shprehur Lirim Zalla, shefi i zyrës së shtypit në FSHF.