Financim për sportin shkollor, qeveria rrit mbështetjen për “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe ndërkombëtarizimin e tyre

Qeveria ka miratuar një vendim të rëndësishëm që sjell ndryshime thelbësore në financimin e projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, si dhe për aktivitetet që synojnë ndërkombëtarizimin e sporteve, nën kujdesin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). Ky vendim, i propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, rrit ndjeshëm buxhetin total të dedikuar për këto nisma, shkruan rtsh.al.
Ndryshimi kryesor konsiston në rritjen e financimit total për projektin “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe aktivitetet e ndërkombëtarizimit. Shuma e përgjithshme e caktuar arrin në 1 miliard e 58 milionë lekë, nga të cilat:
1 miliard e 58 milionë lekë janë destinuar për projektin “Ekipet Sportive në Shkolla” në kuadër të lëvizjes olimpike shqiptare.
200 milionë lekë shtesë janë ndarë për “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe për aktivitete në kuadër të ndërkombëtarizimit të sporteve.
Këto fonde janë shpërndarë si vijon përgjatë viteve buxhetore:
250 milionë lekë nga fondet buxhetore të vitit 2022.
350 milionë lekë nga fondet buxhetore të vitit 2023.
150 milionë lekë nga fondet buxhetore të vitit 2024.
200 milionë lekë nga fondet buxhetore të vitit 2024, specifikisht për projektin “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe ndërkombëtarizimin e sporteve.
308 milionë lekë nga fondet buxhetore të vitit 2025, të cilat përbëjnë shtesën më të re.
“Nga kjo shumë, 298 milionë lekë do të shkojnë për “Ekipet Sportive në Shkolla”, ndërsa 10 milionë lekë do të dedikohen specifikisht për modulin e shahut, si pjesë e të njëjtit projekt.”, thuhet në vendim.
Afatet e raportimit dhe zbatimit
Vendimi i ri përditëson gjithashtu afatet për raportimin dhe procedurat e financimit. Tashmë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe KOKSH-i do të duhet të raportojnë për financimet deri në fund të shkurtit 2025 (për fondet e viteve 2022, 2023 dhe 2024) dhe brenda gushtit 2025 (për fondet e viteve 2024 dhe 2025.
Këto ndryshime synojnë të forcojnë më tej zhvillimin e sportit bazë në shkolla dhe të mbështesin praninë dhe suksesin e sportistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.
Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar janë ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi.
/rtsh.al/