E Diel, 1 Nëntor 2026

Financimi i gjelbër, Shqipëria vendos kuadrin për orientimin e investimeve të qëndrueshme

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Shqipëria po hedh një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të financimit të gjelbër dhe orientimit të investimeve drejt aktiviteteve të qëndrueshme, me prezantimin e draftit përfundimtar të Klasifikimit Kombëtar të Aktiviteteve të Gjelbra.

Drafti u prezantua nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB), në kuadër të Programit të Asistencës Teknike për Sistemet Financiare të Gjelbra.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve anëtare të Grupit Ndërinstitucional të Punës, bankave tregtare dhe ekspertë teknikë të angazhuar në hartimin e këtij kuadri.

Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, tha se klasifikimi i aktiviteteve të gjelbra nuk duhet të shihet vetëm si një instrument për përmbushjen e objektivave të qëndrueshmërisë, por edhe si një mekanizëm që do të ndikojë në mënyrën se si kapitali do të orientohet në ekonomi.

“Taksonomia e Gjelbër duhet parë jo vetëm si një çështje reputacionale apo si shprehje e vullnetit për të mbështetur qëndrueshmërinë, por si një instrument që do të ndikojë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si kapitali do të orientohet drejt ekonomisë”, u shpreh Ahmetaj.

Ajo nënvizoi se ndryshimet klimatike dhe rreziqet që lidhen me to po sjellin forcim të kuadrit rregullator ndërkombëtar dhe evropian, ndërsa procesi i integrimit në Bashkimin Evropian sjell kërkesa të reja edhe për bizneset dhe institucionet financiare shqiptare.

Sipas saj, sektori bankar do të ketë një rol të rëndësishëm në këtë proces, duke integruar gjithnjë e më shumë faktorët mjedisorë dhe klimatikë në vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut.

Kjo qasje do të ndikojë edhe në kreditim, pasi krahas performancës financiare do të vlerësohet gjithnjë e më shumë mënyra se si realizohet aktiviteti ekonomik dhe ndikimi i tij në qëndrueshmërinë e ekonomisë.

Përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri, Alessandro de Concini, e cilësoi këtë proces një hap të rëndësishëm për zhvillimin e tregut të kapitalit dhe rritjen e investimeve të qëndrueshme në vend.

“Aktiviteti i sotëm është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e tregut të kapitalit në Shqipëri, në thithjen e investimeve dhe në shndërrimin e kreditimit të gjelbër në pjesë të praktikës së zakonshme të biznesit”, tha de Concini.

Ai theksoi se procesi e afron Shqipërinë me standardet dhe tregun e Bashkimit Evropian, duke kontribuar në dekarbonizim, rritjen e konkurrueshmërisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Klasifikimi Kombëtar i Aktiviteteve të Gjelbra synon të krijojë një bazë të qartë për përcaktimin e aktiviteteve ekonomike që kontribuojnë në objektivat mjedisorë dhe klimatikë. Ai është pjesë e arkitekturës së financës së qëndrueshme, së bashku me përmirësimin e cilësisë së të dhënave, transparencën dhe forcimin e standardeve të raportimit.

Gjatë aktivitetit u prezantuan elementet kryesore të draftit të tretë dhe përfundimtar, përfshirë kuadrin e përgjithshëm, kriteret teknike të shqyrtimit dhe përshtatjet legjislative.

Përfundimi i këtij procesi krijon një bazë më të qartë për bankat, bizneset dhe investitorët në orientimin e financimeve drejt projekteve dhe aktiviteteve që mbështesin një ekonomi më të gjelbër dhe të qëndrueshme.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›