E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Finlanda: Informuam Putin për anëtarësimin në NATO! Rusia: Vendim i gabuar

Presidenti i Finlandës Sauli Niinistö dhe ai rus Vladimir Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku fokus ishte kërkesa e Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO. Niinistö tha se biseda ishte e drejtpërdrejtë dhe se veprimet e fundit të Rusisë ndaj Ukrainës kanë bërë që Finlanda të maksimizojë sigurinë e saj.

“Unë e informova atë për qëllimin tonë për t’u anëtarësuar në NATO. Një bisedë e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë. Duke u anëtarësuar në NATO, Finlanda forcon sigurinë e saj dhe merr përgjegjësitë e veta. Finlanda e ardhshme dëshiron të merret me çështjet praktike të të qenit fqinj me Rusinë në mënyrë të drejtë dhe profesionale, çdo komb i pavarur maksimizon sigurinë e tij”, është shprehur Niinistö.

Por kjo kërkesë e Finlandës për të prishur neutralitetin e saj ushtarak është konsiderua si gabim nga Putin, dhe nëse ndodh do të sillte edhe prishjen e marrëdhënieve dypalëshe.

“Fundi i neutralitetit të Finlandës është një gabim, siguria e saj nuk kërcënohet”, i tha Putin gjatë bisedës presidentit të Finlandës.

Për shkak të luftës që Rusia po zhvillon në Ukrainë, Suedia dhe Finlanda kanë deklaruar se do të aplikojnë për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa Rusia tha se përgjigja e saj do varet nga lloji i infrastrukturës ushtarake që NATO do të vendosë në territorin e këtyre shteteve. / La Repubblica

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›