Firmat naftënxjerrëse, të papërgatitura për katastrofa
Kompanitë më të mëdha që nxjerrin naftën nga thellësitë e shtratit të detit në bregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë po aq të papërgatitura për t’u përballur me rastet e situatave ekstreme sa edhe vetë BP, e cila që prej dy muajsh nuk po e vë dot nën kontroll situatën. Ky ishte konkluzioni i një paneli të Kongresit Amerikan. “Exxon Mobil”, “Chevron”, “ConocoPhilips” dhe “Shell” kanë të gjithë të njëjtin plan ndaj emergjencave dhe situatave të rënda sikundër edhe “British Petroleum”, që do të thotë se nëse ato do të ndodheshin përballë një situate të tillë të vështirë, nuk do të bënin asgjë për ta ndaluar rrjedhjen e naftës në det. Shefi amerikan i BP, Lamar McKay, do të japë dëshmi në lidhje me katastrofën ambientaliste në gji, pas akuzave të vazhdueshme të amerikanëve ndaj kompanisë në lidhje me menaxhimin e keq të situatës. Ai dhe bosë të tjerë të kompanive të mëdha të naftës do të dëshmojnë në lidhje me masat e sigurisë në raste të tilla fatkeqësish. Kongresmenët kanë sugjeruar në një letër drejtuar “British Petroleum” se një nga shkaqet e katastrofës ishte mosvlerësimi siç duhet i situatës dhe rritja e jashtëzakonshme e rrezikut. Presidenti Barak Obama ka mbajtur dje një fjalim të rëndësishëm para kombit në TV, në të cilin ai ka parashtruar të gjitha përpjekjet që janë bërë deri tani nga administrata amerikane për të vënën në kontroll situatën dhe të tjera që do të ndërmerren hap pas hapi për të qetësuar situatën. Bëhet fjalë për një situatë të jashtëzakonshme, me të cilën asnjë administratë amerikane nuk është ndeshur deri më tani. Për këtë arsye, Obama ka bërë vetë disa vizita në gji dhe së fundi ka vizituar të gjitha shtetet amerikane që janë prekur nga kjo tragjedi, e cila është jo vetëm ekologjike, por ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në biznesin e zonave të prekura, turizmin dhe peshkimin. Për Obamën bëhet fjalë për një katastrofë që do të lërë pasoja të rënda për vite e vite dhe do të riformulojë edhe politikën e ardhshme amerikane në lidhje me çështjet ambientale. Obama, dy ditë më parë, e ka cilësuar si një katastrofë, ndikimi i së cilës do të ketë të njëjtin impakt me atë që patën sulmet e 11 shtatorit në psikikën e amerikanëve. Tashmë kanë kaluar 2 muaj nga fillimi i rrjedhjes së naftës në gjirin e Meksikës që nga 20 prilli i kaluar. Sipas vlerësimeve të specialistëve, çdo ditë derdhen në det 40 mijë fuçi nafte, çka e ka shtuar në maksimum sasinë e ndotjes.
Para panelit të kongresit do të dalë edhe shefi i BP, i cili do të duhet që t’u përgjigjet një sërë pyetjeve me karakter teknik të përgatitura nga specialistë të fushës së naftënxjerrjes.
#