Njerëzit besojnë gjithnjë e më tepër te zgjedhjet e parakohshme
Koalicioni i qendrës së djathtë i Kancelares gjermane Merkel ka qenë dje në një situatë shumë delikate, për shkak të një sërë mosmarrëveshjesh dhe lufte të brendshme në lidhje me masat që duhen marrë për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore, reformat politike. Tani kur qeveria e re e dalë pas zgjedhjeve të tetorit të kaluar nuk ka mbushur ende 8 muaj, mundësia që ajo të zgjasë qeverisjen në të gjithë mandatin është zvogëluar ndjeshëm. Të paktën sipas një sondazhi të fundit, 53% e gjermanëve presin që qeveria e tyre të bjerë herët ose vonë. “Ose gjërat do të zgjidhen shpejt në Berlin, ose koalicioni do të bjerë”, ka deklaruar shefi i partisë që është në koalicion me kristian-demokratët e Merkelit. Merkel ndodhet në një presion të madh e kritikuar brenda vendit, por edhe jashtë tij për shtyrjen e aprovimit të paketës prej 110 miliardë dollarësh për të ndihmuar Greqinë në situatën e rëndë financiare në të cilën ndodhej ky vend. Tashmë shqetësimi i saj i fundit është paketa 80 miliardë euroshe e miratuar në Parlament dhe që ka të bëjë me shkurtimet e shpenzimeve për të reduktuar deficitin buxhetor. Sipas kritikëve, këto shkurtime janë të pabalancuara nga ana sociale dhe njerëzit mendojnë se ato janë të padrejta. Kundërshtia ndaj paketës u bë më e dukshme gjatë fundjavës së kaluar me organizimin e disa demonstratave dhe protestave nëpër rrugë.
#