Firmoset marrëveshja me Turqinë, Shqipëria blen 3 dronë Bayraktar! Rama: Baza ajrore e tyre do jetë në Kuçovë

Shqipëria do të ketë flotën e saj të dronëve Bayraktar me bazë ajrore në bazën e Kuçovës. Marrëveshja është firmosur sot (20 dhjetor) mes Shqipërisë dhe Turqisë në Tiranë, ku fillimisht vendi ynë do të marrë 3 donë Bayraktar dhe më pas do të vijojë me zgjerimin e flotës.
Kryeministri Edi Rama tha se këto dronë janë të teknologjisë më të lartën dhe do të shërbejnë për ruajtjen e sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e monitorimin e territorit. Këto dronë, tha Rama, do të ndihmojnë institucionet e vendit në një qeverisje më të mirë.
“Sot është një ditë shumë e mirë për marrëdhënien tonë, për forcat e armatosura dhe ministritë tona të mbrojtjes. Këto dronë do të jenë ndihmë për institucionet tona për një qeverisje më të mirë. Këto dronë janë pajisje ushtarake por shpresojmë që të mos përdoren kurrë për një qëllim të tillë, por do të shërbejnë që nga lufta kundër kanabisit, te zjarret dhe monitorimi i territorit me mjetet e teknologjisë më të lartë. Falenderoj presidentin Erdogan, i cili ka qenë thelbësor në këtë proces. Kur vjen fjala për mjetet pa pilotë, nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit e parave, por ka të bëjë dhe me faktin që të jesh i aftë që të kalosh radhë e të shtysh në radhë, sepse radha është shumë e gjatë. Ne jemi krenarë që bashkë me Turqinë jemi në krahun e duhur, të rreshtuar në bashkësinë euroatlantike të NATO-s”, tha Rama.
Për vënien në punë të këtyre dronëve do të përzgjidhen 30 persona nga kompani e cila do të bëjë trajnimet e duhura dhe të vendosë bazën ajrore të dronëve në Kuçovë.
“Më shumë se 30 persona që do përzgjidhen me shumë kujdes me ndihëm e kompanisë bajraktar që do vihen në një trajnim dhe do përgatiten për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës”, tha Rama.
Firmosja e marrëveshjes
Edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shprehu mirënjohje për ndihmën që qeveria turke ka dhënë vitet e fundit në mbështetje të Forcave të Armatosura. Peleshi shpjegoi edhe objektivat që kërkohen të arrihen përmes shtimit të këtyre kapaciteteve.
“Jam i sigurt se shfrytëzimi i këtyre aseteve në vendin tonë do të rrisë cilësisht kapacitetet e Forcave të Armatosura dhe strukturave të Emergjencave Civile në drejtim të kontrollit të territorit dhe për të parandaluar fenomenet e paligjshme. Kompletimi me këtë sistem ka rëndësi të veçantë për sigurinë tonë kombëtare dhe atë të Aleancës, si dhe për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s. Krijimi i kapaciteteve kombëtare shume përdorimesh dhe modulare për zbulim, vëzhgim dhe rikonicion më të mirë, në mbështetje ajrore te operacioneve të FARSH dhe gjatë operacioneve të emergjencave civile dhe operacioneve në ndihmë të komunitetit do të jenë disa prej objektivave që do të arrihen me sigurimin e këtyre aseteve. Modernizimi i Forcave të Armatosura do të jetë në vëmendje të vazhdueshme të qeverisë shqiptare. Gjatë viteve të fundit kemi bërë të mundur investime konkrete për trajtimin dhe trajnimin e personelit ushtarak, si dhe në blerje të pajisjeve, aseteve të rëndësishme në funksion të Forcave të Armatosura”, tha Peleshi.
Blerja e dronëve do të nis në 2023, ndërsa bashkëpunimi i Shqipërisë me kompaninë do të vijojë ku në të ardhmen mund të ketë edhe transferim të disa teknologjive të Bayraktar në vendin tonë.
Droni TB2 është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar. Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Ky dron mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë. Droni Bayrakar shihet si revolucionar për shkak të kostos realitivisht të lirë dhe disponueshmërisë së lehtë.
/rtsh.al/